Hoxha: Përgatitjet e policisë para aktgjykimit në Hagë janë të domosdoshme
Ish-kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Valdet Hoxha, ka thënë se masat e ndërmarra nga Policia e Kosovës në prag të aktgjykimit të Gjykatës Speciale janë normale dhe të domosdoshme.
Në emisionin “Edicioni Special” në Klan Kosova, Hoxha tha se vendimi që pritet të merret në Hagë mund të ketë ndikim jo vetëm në Kosovë, por edhe në konfliktet e tjera në rajon dhe më gjerë.
Sipas tij, përgatitjet e Policisë së Kosovës dhe thirrjet e Ambasadës Amerikane nuk duhet të perceptohen si shenjë alarmi, por si masa praktike për çdo situatë ku priten tubime të mëdha dhe emocione të qytetarëve.
“Unë, si njohës i këtyre rrethanave dhe në bazë të përvojës sime profesionale, mund të them se këto masa janë shumë praktike, të domosdoshme, të nevojshme dhe normale”, tha Hoxha.
Ai theksoi se Policia e Kosovës duhet të ketë plan operacional për të garantuar sigurinë e të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë etnike.
“Policia e Kosovës nuk do të falet nëse nuk ka një plan operacional për ta siguruar jetën e gjithë qytetarëve në Republikën e Kosovës, pavarësisht nëse është shqiptar, serb, goran, egjiptian etj.”, deklaroi Hoxha.
Hoxha shtoi se, pavarësisht nëse aktgjykimi është lirues apo dënues, priten reagime emocionale, ndërsa paralajmëroi se zhvillimet mund të shfrytëzohen politikisht edhe nga aktorë të ndryshëm në rajon.



