​Kusari-Lila kërkon konsensus të gjerë për hapat e radhës lidhur me Specialen

22 shtator 2026 | 11:45

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit është shprehur se për hapat e mëtejmë lidhur me Dhomat e Specializuara duhet të ketë një konsensus të gjerë shoqëror dhe angazhim të të gjitha institucioneve.

E pyetur për qëndrimin ndaj nismës për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, ajo tha se për këtë çështje duhet të bashkohen institucionet dhe subjektet politike.

“Tash unë jam në cilësinë e ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit. Gjithashtu, është pjesa që unë jam ministre, nuk jam deputete. Megjithatë, jam e mendimit ashtu siç e kam thënë e është, po thuhet shpesh fatkeqësisht, që duhet të ketë një konsensus të gjerë shoqëror mbi hapat e radhës, duhet të jenë edhe të menduar mirë në aspektin ligjor, por gjithashtu edhe në rritjen e probabilitetit të lirimit të plotë të katër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë. Do të thotë, përpjekja e përbashkët, duhet angazhim të plotë, i të gjitha niveleve, edhe natyrisht në aspektin politik, edhe të partive të deri tashmë opozitare e gjithashtu edhe e qeverisë e Kuvendit me shumicën, në mënyrë që gjithë mbështetja në këtë rrugëtim ligjor shumë sfidues për vendin, të dalë me sukses në fund”, tha ajo, raporton kp.

Një ditë më parë Partia Demokratike e Kosovës ka proceduar në Kuvend Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar se propozimin do ta shqyrtojë nga aspekti juridik, përfshirë përputhshmërinë me kornizën ligjore në fuqi dhe efektet që një ndërhyrje e tillë mund të ketë në procedurat pranë Dhomave të Specializuara.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shqipëria është bërë vendi i 73-të që u bashkohet Marrëveshjeve…