Gjykata e Apelit pezullon konkursin e UP-së për Drejtor të Buxhetit dhe Financave

23 shtator 2026 | 12:51

Gjykata e Apelit e Kosovës ka aprovuar ankesën e ish-drejtorit të Financave të Universitetit të Prishtinës, Ilir Hajdarajt dhe ka vendosur masë sigurie ndaj UP-së, duke pezulluar konkursin për pozitën e Drejtorit të Departamentit për Buxhet dhe Financa.

Ilir Hajdaraj ka qenë Drejtor i Departamentit për Buxhet dhe Financa në UP. Në vitin 2025 ndaj tij është zhvilluar procedurë disiplinore dhe me vendim të Komisionit Disiplinor, është shqiptuar edhe ulja në pozitë.

Me vendimin e 18 gushtit 2026, Apeli i ka ndaluar UP-së që të vazhdojë, zhvillojë apo përfundojë konkursin, të shpallë rezultatet, të bëjë përzgjedhjen dhe emërimin e kandidatit, apo të lidhë çfarëdo akti juridik me kandidatët e konkursit të shpallur më 2 qershor 2026.

“APROVOHET e themeltë ankesa e paditësit/propozuesit të masës së sigurimit Ilir Hajdaraj nga Gjakova, NDRYSHOHET aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm, C.nr.4218/2025, i datës 16.07.2026, dhe çështja gjykohet si vijon: APROVOHET si i bazuar propozimi i propozuesit të sigurimit, caktohet masa e sigurimit, ashtu që ndalohet kunddrshtari i sigurimit Universiteti i Prishtinës që të vazhdojë, zhvillojë, përfundojë, shpallë rezultatet, bëjë përzgjedhjen, emërimin ose lidhjen e çfarëdo akti juridik mc kandidatë lidhur me konkursin e publikuar me nr.prot. 1/766, me datë 02.06.2026 me afat aplikimi nga data 04.06.2026 deri me datë 03.07.2026, për pozitën Drejtor i Departamentit për Buxhet dhe Financa, deri në përfundimin e kësaj procedure gjyqësore ose deri në një vendim tjetër të gjykatës”, thuhet në aktgjykim.

Gjykata ka urdhëruar gjithashtu Universitetin e Prishtinës që, menjëherë pas pranimit të aktvendimit, të pezullojë çdo veprim administrativ, procedural, teknik dhe faktik lidhur me këtë konkurs.

Hajdaraj e kishte kundërshtuar në gjykatë vendimin disiplinor të UP-së, me të cilin ishte ulur në pozitë, ndërsa më 11 gusht 2026 kishte kërkuar edhe masën e sigurimit për ndalimin e konkursit për pozitën që ai e kishte ushtruar më parë.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 16 korrik 2026 e kishte refuzuar kërkesën e Hajdarajt për masë sigurie. Megjithatë, pas ankesës së tij, Apeli e ndryshoi këtë vendim dhe e vlerësoi të bazuar kërkesën për pezullimin e konkursit.

Sipas Apelit, ekziston rreziku që emërimi i një personi tjetër në këtë pozitë ta vështirësonte realizimin efektiv të një eventuali aktgjykimi në favor të Hajdarajt.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Analisti Ilir Kulla ka komentuar ndalimin e ish-drejtoreshës së Shërbimit…