Diaspora / ALEA dhe APEA më 25 shtator protestojnë në Lion dhe Paris në përkrahje të çlirimtarëve
ALEA (Shoqata e Studentëve dhe Profesionistëve Shqiptarë në Lion) APEA (Shoqata e Studentëve dhe Profesionistëve Shqiptarë në Paris) u bëjnë thirrje shqiptarëve në Francë dhe mbështetësve të tyre që të protestojnë më 25 shtator, duke kërkuar drejtësi dhe duke kundërshtuar atë që e konsiderojnë trajtim të njëanshëm të luftës në Kosovë
ALEA dhe APEA kanë bërë thirrje për organizimin e dy tubimeve të njëkohshme në Francë, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Tubimet janë paralajmëruar për të premten, më 25 shtator 2026, duke filluar nga ora 18:30, në sheshin Antonin-Poncet në Lion dhe në sheshin Joachim-du-Bellay në Paris.
Në deklaratën e tyre, dy shoqatat u kanë bërë thirrje diasporës shqiptare në Francë, si dhe të gjithë atyre që, sipas tyre, angazhohen për një drejtësi ndërkombëtare të denjë, që të marrin pjesë në protestat paqësore.
Organizatorët kanë identifikuar katër arsye për të cilat thonë se po protestojnë. Ata kundërshtojnë aktgjykimin e Dhomave të Specializuara, mënyrën se si është trajtuar lufta në Kosovë, atë që e konsiderojnë si qasje të pabarabartë ndaj palëve të konfliktit dhe, sipas tyre, valën e mohimit dhe revizionizmit që pasoi aktgjykimin në rrjetet sociale dhe në disa media franceze.
Në pjesën tjetër të deklaratës, shoqatat kritikojnë edhe mënyrën e themelimit të Dhomave të Specializuara, duke argumentuar se ato u krijuan në vitin 2015 pas trysnisë së Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian ndaj institucioneve të Kosovës.
Tubimet në Lion dhe Paris pritet të jenë pjesë e mobilizimeve të diasporës shqiptare në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së pas aktgjykimit të 16 shtatorit.
Komunikatën e plotë të ALEA dhe APEA e gjeni: KËTU




