PDK-ja mbështet protestat e OVLUÇK-së, platformave qytetare dhe protestat e shqiptarëve në Kosovë e diasporë

24 shtator 2026 | 14:29

Partia Demokratike e Kosovës ka bërë me dije se mbështet protestat e nesërme në të gjitha komunat e Kosovës, të thirrura nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, të cilat do të mbahen në qytete të ndryshme të vendit, pas vendimit të padrejtë të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

PDK e konsideron të domosdoshëm respektimin e zërit të qytetarëve, të cilët përmes këtyre protestave po shprehin kundërshtimin e tyre ndaj këtij vendimi.

Njëkohësisht, Partia Demokratike e Kosovës vlerëson lart të gjitha protestat që tash e dhjetë ditë po zhvillohen në Kosovë, si dhe protestat e shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Australi, në vende të ndryshme të Evropës dhe kudo tjetër në botë, ku qytetarët po shprehin mospajtimin e tyre ndaj këtij vendimi.

“Pjesëmarrja e qytetarëve në sheshet e Kosovës, për dhjetë ditë me radhë, përcjell një mesazh të qartë nga protestuesit se vendimi i Gjykatës Speciale nuk është marrë në emër të popullit të Kosovës. Krahas këtyre protestave të organizuara deri tani, PDK i fton qytetarët që të marrin pjesë masivisht edhe në protestën e thirrur nga platforma ‘Liria ka emër’, më 1 tetor, në sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë. Reagimi qytetar në Kosovë dhe në diasporë është një zhvillim publik që institucionet e vendit duhet ta trajtojnë me seriozitet. Kundërshtimi ndaj vendimit të Hagës po shprehet çdo ditë në sheshe, në mënyrë paqësore dhe demokratike”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Në të njëjtën kohë, thuhet se përgjegjësia institucionale nuk përfundon te qytetarët që protestojnë.

“Institucionet e Kosovës dhe spektri politik duhet t’i trajtojnë me seriozitet dhe urgjencë hapat institucionalë dhe ligjorë që lidhen me procesin e padrejtë ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe fazat e mëtejshme të tij. Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë angazhimin e saj politik dhe institucional lidhur me procesin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, duke e konsideruar prioritet votimin në Kuvendin e Kosovës të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara”, është theksuar në komunikatën e PDK-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në vendin ku ra heroikisht tre vjet më parë, duke…