Projekltigji për Specialen kalon në Komision, Qorrolli: Qasja që PDK ka ndjekur s’na ka bindur, por vota jonë është për
Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar ka marrë mbështetjen unanime të Komisionit për Legjislacion.
Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Vigan Qorrolli, ka bërë të ditur se të nëntë anëtarët e Komisionit kanë votuar pro projektligjit në parim.
Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Vigan Qorrolli, tha se kundërshtimet dhe reagimet ndaj kësaj strukture normative, sipas tij, është dashur të bëheshin në vitin 2015 dhe jo tani.
“Reagimet dhe kundërshtimet që janë bërë kundër kësaj strukture normative që e ka bërë Kuvendi i Kosovës, është dashur të bëheshin në verën e vitit 2015, e jo në vjeshtën e vitit 2026”, deklaroi Qorrolli.
Ai theksoi se Komisioni është i unifikuar sa i përket qëndrimit për ndryshimet ligjore.
“Jemi në një situatë ku ne si komision, të gjithë njëzëri do ta miratojmë. Ne jemi këtu për të dhënë votën tonë pro këtyre ndryshimeve në ligj”, tha Qorrolli.
Kështu, Komisioni e ka miratuar me votë unanime në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, duke i hapur rrugë shqyrtimit të tij në seancën plenare të Kuvendit.
Seanca është caktuar të nisë në orën 09:00, ndërsa shqyrtimi i parë i projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar është pika e parë e rendit të ditës.
Nisma është paraqitur nga Partia Demokratike e Kosovës më 21 shtator, pesë ditë pasi Dhomat e Specializuara në Hagë kanë shpallur aktgjykimin ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Më 16 shtator, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi janë dënuar me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet për krime lufte.
Të katërt janë shpallur të pafajshëm për krime kundër njerëzimit.
Mbrojtja ka paralajmëruar apelimin e pjesës dënuese të aktgjykimit.



