Bekim Sejdiu rrëzon ofertën që Kurti ia bëri PDK-së: I kam njoftuar sërish LDK-në dhe Kurtin, jam tërhequr nga gara
Profesori Bekim Sejdiu, i cili ishte kandidat për president, ka bërë me dije se për vendimin e tij për t’u tërhequr nga kandidatura e ka njoftuar kryeministrin Albin Kurti, si dhe kreun e LDK-së, për t’ua konfirmuar këtë qëndrim.
“Unë i kam njoftuar, kam qenë në komunikim me krerët e LDK-së edhe i kam njoftuar së fundi edhe krerët e LDK-së, edhe kryeministrin Kurti, që unë nuk jam pjesë e këtij procesi për zgjedhjen e presidentit të Kosovës”.
“Unë kam hyrë me idenë, kur kam hyrë në fillim të shtatorit, me motivin e vetëm që të dalim prej një ngërçi, por nuk u realizua, sepse nuk u bënë votat dhe rrjedhimisht unë kam bërë një herë tërheqje publike edhe tash, normalisht, emrin tim me ma përmend s’mundem me ia ndalu askujt. Edhe e di që e bëjnë me qëllimin më të mirë të mundshëm, e di që kanë besim në mua, por unë i kam informuar që unë jam i tërhequr nga kjo garë”, ka deklaruar Sejdiu për “Infokusin”.
Ai ka treguar se në proces kishte hyrë në një kombinim politik ku LDK-ja do të ishte propozuese, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje mbështetëse, duke shtuar se komunikimet kryesore i kishte zhvilluar me drejtuesit e LDK-së.
“Unë ju kam thënë që jam i tërhequr, unë nuk jam i informuar. Unë kur kam hyrë me LDK-në si propozuese, LV-në si mbështetëse, me qat kombinim kam hyrë dhe kryesisht i kam bërë komunikimet me drejtues të LDK-së që më kanë propozuar e më kanë thirrur mua me hy në këtë proces. E çmoj shumë edhe besimin e kryeministrit Kurti, por unë i kam njoftuar se jam tërhequr nga gara, ju kam treguar se nuk jam pjesë e garës”, ka thënë ai.
Sejdiu ka treguar për “Infokusin” se është i gatshëm t’ua dërgojë drejtuesve të LDK-së edhe mesazhin përmes të cilit i kishte njoftuar për qëndrimin e tij. Ai ka theksuar se nuk e konsideron të denjë që dikush të zgjidhet president vetëm për të shmangur zgjedhjet dhe se posti duhet t’i takojë dikujt që e meriton.
“Nëse dojnë këta të LDK-së, mundem me ua dërgu edhe mesazhin që ua kam dërguar dhe unë ju kam thënë kështu: më së pari nuk konsideroj që është e denjë me u zgjedh president dikush që zgjedhet vetëm me i shmang zgjedhjet, president duhet të zgjedhet dikush që e meriton atë pozitë. Dhe dmth as me ndërlidhjen me tema të tjera që janë të rëndësishme për këtë vend. E dyta, unë kam hyrë në një kombinim politik LDK-LV dhe e kisha mirëprit përkrahjen e të gjithëve. Partitë politike në përgjithësi kanë pasë fjalë të mira për mua si kandidat dhe e çmoj edhe faktin se edhe një pjesë e gazetarëve dhe opinionit publik kanë pasur vlerësim pozitiv për mua. Mirëpo, meqë unë nuk i kam pasur votat, unë jam tërhequr nga kjo garë. Për më tepër, në këtë proces me kaq shumë drama, unë nuk kam qenë në Kosovë fare këto ditë. E çmoj shumë besimin dhe vlerësimin nga të gjithë, por unë nuk jam më pjesë e këtij procesi”, ka deklaruar Bekim Sejdiu ekskluzivisht për “Gazetën Infokus”.
Deklarimi i Sejdiut ka ardhur pasi emri i tij është rikthyer në diskutimet për zgjedhjen e presidentit, ndërsa ai ka këmbëngulur se LDK-ja dhe kryeministri Kurti janë njoftuar drejtpërdrejt prej tij se është tërhequr nga gara dhe nuk është më pjesë e procesit.
Kurti e ka përmendur emrin e Sejdiut edhe sot në konferencë, në ditën e fundit kur kanë mbetur edhe pak orë deri në përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit.



