KMDLNj kërkon hetim: Dhuna ndaj protestuesve e panevojshme
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar lidhur me ndërhyrjen e Policisë së Kosovës gjatë protestës së mbrëmshme në Prishtinë, duke kërkuar hetim urgjent për mënyrën e përdorimit të forcës ndaj protestuesve dhe qytetarëve.
Sipas KMDLNj-së, gjatë mbrëmjes së 5 tetorit, Policia e Kosovës ka ndërhyrë pa paralajmërim ndaj protestuesve, duke përdorur gaz lotsjellës, topa uji dhe forcë fizike, të cilat ky institucion i ka vlerësuar si joproporcionale me situatën.
“Gazi lotsjellës u përdor në masë të madhe, sikurse që dhuna fizike ishte brutale ndaj një qytetari, i cili, kur u ushtrua dhunë ndaj tij, nuk paraqiste asnjë rrezik për policinë dhe sigurinë. Policia intervenoi pa asnjë paralajmërim, duke rrezikuar edhe kalimtarët e rastit, pleq, gra dhe fëmijë që nuk ishin protestues. Policia përdori gaz lotsjellës me afat të skaduar, në sasi të mëdha dhe në mënyrë joproporcionale”.
“KMDLNj ishte në vendin e ngjarjes deri në orët e vona dhe konstaton se përdorimi i dhunës ishte i panevojshëm dhe i shmangshëm”, është thënë në reagim.
Sipas KMDLNj-së, përshkallëzimin e situatës e ka nxitur ndërhyrja e Policisë, pas së cilës, sipas tyre, edhe një pjesë e protestuesve kanë shfaqur sjellje më agresive.
KMDLNj ka theksuar se e përkrah të drejtën për protestë për aq kohë sa ajo zhvillohet në mënyrë paqësore dhe nuk ushtrohet dhunë ndaj të tjerëve. Në të njëjtën kohë, Këshilli ka kërkuar respektimin e lirisë së lëvizjes dhe të drejtës së deputetëve për të ushtruar mandatin e tyre pa presion.
“KMDLNj përkrah fuqishëm të drejtën e deputetëve që të votojnë në përputhje me mandatin e tyre, pa iu nënshtruar asnjë presioni dhe krejtësisht sipas vullnetit të lirë që ua garanton ligji dhe mandati”, është thënë në reagim.
Këshilli ka kërkuar nga Inspektorati Policor i Kosovës që të hetojë me urgjencë rastet ku dyshohet se zyrtarët policorë kanë tejkaluar autorizimet e tyre, duke përdorur forcë të tepruar ndaj protestuesve, qytetarëve dhe kalimtarëve të rastit.



