Hamza: Nata e mbrëmshme ishte e gjatë, por besoj se Kosova po hyn në një kthesë të re

07 tetor 2026 | 10:59

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza ka reaguar pas zhvillimeve të fundit politike në vend, duke thënë se nata e mbrëmshme ishte e gjatë për Republikën e Kosovës, por shpreson se ajo do të shënojë një kthesë drejt një rruge më të mirë për shtetin.

Hamza ka shprehur besimin se bashkë me institucionet e shtetit dhe Presidenten e re, do të ketë angazhim më të madh edhe për ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), veçanërisht në betejën për drejtësi, të vërtetën dhe ruajtjen e pastërtisë së luftës çlirimtare.

“Beteja për drejtësi në Hagë nuk mund të bëhet më vetëm nga individët, familjet, dashamirët dhe mbrojtësit e tyre, të cilët tash e gati gjashtë vjet po e bartin mbi supet e tyre peshën e rëndë të këtij procesi”, ka deklaruar Hamza.

Ai ka kërkuar që shteti i Kosovës të jetë tashmë pranë tyre, duke vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet dhe përgjegjësitë institucionale që i takojnë.

Kreu i PDK-së ka falënderuar qytetarët që kanë protestuar në Prishtinë, në qytete të tjera të Kosovës dhe në diasporë, duke i cilësuar ata si zë të rëndësishëm në këtë proces.

Sipas Hamzës, Kosovës i duhet një shtet që nuk harron dhe nuk dorëzohet, ndërsa e vërteta për luftën çlirimtare duhet të mbrohet edhe për brezat që do të vijnë.

“Qytetarëve tanë dhe brezave që vijnë u duhet një Kosovë që nuk harron, një shtet që nuk dorëzohet dhe një shoqëri që e mbron të vërtetën e saj”, është shprehur ai.

Hamza ka përmendur edhe Deklaratën e Përbashkët të zotimit dhe vullnetit politik në Kuvend, ligjin për mbrojtjen e UÇK-së dhe zgjedhjen e Presidentes së re, duke kërkuar koordinim dhe bashkëpunim nga të gjithë.

“UÇK-ja na bashkoi në një vizion. Tani është koha që atë vizion ta shndërrojmë në një mision të përbashkët, me angazhim dhe vepra konkrete”, ka thënë Hamza.

Në fund, kryetari i PDK-së ka theksuar se beteja për drejtësi duhet të vazhdojë dhe se, sipas tij, çlirimtarët e Kosovës nuk do të jenë vetëm.

“Duhet të jemi të gjithë bashkë!”, ka përfunduar Hamza.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta e ka uruar nga qelia…