Haxhiu uron Shiroka-Pulën: Shumë mbarësi në ushtrimin e detyrës, në shërbim të vendit
Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka uruar Justina Shiroka-Pulën për zgjedhjen e saj presidente të vendit.
Haxhiu, përmes një postimi në “Facebook”, është shprehur se Shiroka-Pulës i uron shumë mbarësi në ushtrimin e detyrës, teksa ka shtuar se Kuvendi ka përmbyllur një proces të gjatë dhe të vështirë politik.
“Uroj presidenten e re të Republikës së Kosovës, akademiken Justina Shiroka-Pula, dhe i dëshiroj shumë mbarësi në ushtrimin e detyrës së saj, në shërbim të vendit dhe të të gjithë qytetarëve. Kuvendi i Republikës së Kosovës ka përmbyllur një proces të gjatë dhe të vështirë politik, duke arritur marrëveshje dhe duke gjetur zgjidhje institucionale”, ka thënë Haxhiu.
Më tej, ajo është shprehur se për të ka qenë nder i veçantë të ushtrojë detyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës.
“Për mua ka qenë një nder i veçantë të ushtroj detyrën e presidentes së Republikës së Kosovës në një periudhë me përgjegjësi të mëdha institucionale. Këtë detyrë e kam ushtruar me respekt të plotë për institucionin dhe me përkushtim, duke u angazhuar që të ruhet vazhdimësia e funksionimit të shtetit deri në zgjedhjen e Presidentes së re”, ka shtuar Haxhiu.



