Fituan ‘Medaljen e Artë’, komandanti i FSK-së i dekoron pjesëtarët e ekipit
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka dekoruar pjesëtarët e ekipit të FSK-së që fituan Medaljen e Artë në garën prestigjioze ndërkombëtare ushtarake “Cambrian Patrol 2026”.
Gjatë takimit me ekipin, Jashari i ka përgëzuar pjesëtarët për suksesin e arritur, duke vlerësuar profesionalizmin, disiplinën, qëndrueshmërinë fizike dhe mendore, si dhe përkushtimin e treguar gjatë garës.
Sipas njoftimit të FSK-së, ky rezultat është dëshmi e përgatitjes së vazhdueshme, punës ekipore dhe standardeve të larta profesionale të pjesëtarëve të saj.
“Fitimi i Medaljes së Artë në ‘Cambrian Patrol 2026’ përbën një dëshmi të rëndësishme të aftësive profesionale, përgatitjes dhe qëndrueshmërisë së pjesëtarëve të FSK-së, duke konfirmuar progresin e vazhdueshëm në ngritjen e kapaciteteve të saj. Kjo arritje jo vetëm që nderon Forcën e Sigurisë së Kosovës, por njëkohësisht forcon imazhin dhe prestigjin e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke dëshmuar se pjesëtarët e FSK-së janë të përgatitur për t’u përballur me çdo sfidë në aspektin profesional dhe janë të gatshëm t’i tejkalojnë këto sfida, duke dëshmuar rezultat të lartë përkrah forcave ushtarake partnere dhe aleate”, është thënë në njoftimin e FSK-së në “Facebook”.



