Studentja e parë amerikane nis studimet në Fakultetin Juridik të UP-së
Virginia Hugo-Vidal është studentja e parë me shtetësi amerikane që ka filluar studimet e rregullta në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës (UP).
Më 7 tetor 2026, dekani i Fakultetit Juridik, prof. Avni Puka, priti në një takim mirëseardhjeje studenten amerikane, e cila ka nisur studimet në programin master në gjuhën angleze “Human Rights, International Criminal Law and Transitional Justice” (Të Drejtat e Njeriut, E Drejta Ndërkombëtare Penale dhe Drejtësia Tranzicionale).
Përveç përgatitjes së saj paraprake akademike në universitete prestigjioze, Hugo-Vidal shënon një moment të veçantë për Fakultetin Juridik, si studentja e parë amerikane që ndjek studimet e rregullta në këtë fakultet.
Programi master, që nga viti akademik 2023/2024, ka mirëpritur vazhdimisht edhe studentë dhe profesorë ndërkombëtarë, në kuadër të përpjekjeve për ndërkombëtarizimin e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës.
Ndërkombëtarizimi mbetet një nga prioritetet e fakultetit, me synimin për të zgjeruar bashkëpunimin akademik ndërkombëtar dhe për të krijuar mundësi të reja për shkëmbimin e përvojave dhe njohurive në fushën e drejtësisë dhe të drejtave të njeriut.



