Përshkallëzohen protestat në Tiranë, përplasje me policinë para Kryeministrisë, hidhen gurë e molotovë

18 tetor 2026 | 17:41

Përplasjet mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit janë zhvendosur para Kryeministrisë në Tiranë, në ditën e gjashtë të protestave të studentëve dhe gjimnazistëve, të cilat janë shoqëruar me incidente të dhunshme në disa pika të kryeqytetit.

Protestuesit kanë hedhur gurë në drejtim të autoboteve të policisë dhe efektivëve, ndërsa situata është përshkallëzuar pas incidenteve të regjistruara më herët gjatë ditës pranë Ministrisë së Arsimit dhe selisë së Partisë Socialiste, ku u thyen xhamat e godinës.

Më herët, Policia e Shtetit ndërhyri me gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë protestuesit e mbledhur para Ministrisë së Arsimit. Përplasjet nisën pasi protestuesit sulmuan me gurë dhe koktej molotovi autobotin e policisë që përdoret për hedhjen e ujit.

Pas ndërhyrjes së forcave të rendit, turma u zhvendos drejt qendrës së Tiranës, në hyrje të Rrugës së Durrësit, ku policia nisi shoqërimet e para.

Në ditën e gjashtë të protestave, studentët dhe gjimnazistët vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa tensionet në kryeqytet mbeten të larta.

Kreu i qeverisë deklaroi më herët gjatë ditës se është përpjekur të mos bjerë në atë që e cilësoi si kurthin e dhunës që kërkon gjak.

Ndërkohë, bilanci i pesë ditëve të para të protestave shkon në 272 persona të lënduar. Sipas të dhënave të raportuara, 169 prej tyre janë punonjës policie, 82 protestues dhe 21 kalimtarë.

Protestat kanë vijuar prej gjashtë ditësh, me thirrje për dorëheqjen e kryeministrit dhe incidente të përsëritura mes protestuesve dhe forcave të rendit në Tiranë.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Trupi i një personi rreth 60-vjeç është gjetur pa shenja…