Hasani: Kuvendi s’mund t’ia ndryshojë as presjen ligjit të kthyer nga presidentja
Profesori i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Enver Hasani, ka deklaruar se Kuvendi i Kosovës nuk mund të ndryshojë asnjë dispozitë të një ligji që presidentja e ka kthyer për rishqyrtim.
Hasani ka theksuar se ligji duhet të votohet në tekstin në të cilin është miratuar fillimisht.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese ka thënë se për këtë çështje ekziston një standard kushtetues i vendosur nga Gjykata Kushtetuese në rastin e vetos së ish-presidentes Atifete Jahjaga lidhur me Ligjin për Pensionet e Pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Sipas tij, vetoja presidenciale është instrument i kontrollit kushtetues mbi ligjet e miratuara nga Kuvendi dhe nuk mund të përdoret si mjet për ndryshimin apo plotësimin e përmbajtjes së tyre.
“Në rastin e një ligji të kthyer nga Presidenti i Republikës për rishqyrtim në Kuvend, nuk mund të ndryshohet asnjë dispozitë e tij. Asnjë presje nuk mund t’i shtohet apo t’i hiqet tekstit të ligjit të miratuar më parë”, ka thënë Hasani për “Paparacin”.
Ai ka theksuar se, gjatë procedurës së rishqyrtimit, Kuvendi nuk mund të hapë një procedurë të re legjislative për ta ndryshuar ligjin, por duhet të vendosë nëse do ta miratojë sërish në formën e mëparshme.
Hasani ka sqaruar se, për miratimin e ligjit të kthyer, kërkohen të paktën 61 vota të deputetëve, sipas nenit 80, paragrafi 4, të Kushtetutës së Kosovës.
Nëse ligji siguron 61 votat, vetoja presidenciale tejkalohet dhe ligji konsiderohet i miratuar. Në të kundërtën, nëse nuk sigurohet shumica e nevojshme, ligji nuk miratohet.
Sipas Hasanit, nëse Kuvendi synon ta ndryshojë përmbajtjen e ligjit, këtë mund ta bëjë vetëm përmes një procedure të re legjislative dhe jo duke ndërhyrë në tekstin e ligjit të kthyer nga presidentja.
Ndërkohë, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), përmes një letre zyrtare, i ka kërkuar të enjten presidentes Justina Shiroka-Pula kthimin në Kuvend për rishqyrtim të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Në një njoftim për media, PDK-ja ka thënë se kthimi i ligjit do të mundësonte “plotësimin e dispozitave të caktuara dhe forcimin e sigurisë juridike të ligjit”.
“PDK-ja është krenare për nismën e saj ligjore dhe mbështetjen që ajo ka marrë”, është thënë në njoftimin e kësaj partie.
Presidenca ka bërë të ditur se Shiroka-Pula e ka pranuar propozimin zyrtar të PDK-së për rishqyrtimin e ligjit, veçanërisht të dispozitave që lidhen me juridiksionin dhe mandatin e Gjykatës në Hagë, si dhe me garantimin e plotë të të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen pranë këtyre Dhomave.



