Haradinaj: I madh e i vogël, dilni në zgjedhjet në Serbi për t’i votuar kandidatët shqiptarë
Daut Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) u ka bërë thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës që të dielën të marrin pjesë në zgjedhjet në Serbi dhe të votojnë për kandidatët shqiptarë.
Përmes një apeli drejtuar qytetarëve të Luginës, Haradinaj e ka cilësuar këtë një mundësi historike për përfaqësimin e shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë.
“Të nderuar qytetarë të Luginës së Preshevës, vëllezërit tanë, të dielën e keni një rast historik që të përfaqësoheni në Parlamentin e Serbisë. Shfrytëzojeni rastin dhe përfaqësojeni shqiptarinë në atë parlament me deputetë që ju përfaqësojnë juve”, ka deklaruar Haradinaj.
Ai ka theksuar se bashkimi i shqiptarëve duhet të vazhdojë edhe ditën e votimit, duke u bërë thirrje të gjithë qytetarëve që kanë të drejtë vote ta shfrytëzojnë këtë mundësi.
“Është një rast historik, jeni bërë bashkë, por bashkë duhet të jeni edhe në vendvotim. Pra, kushdo që ka të drejtë vote, ta shfrytëzojë këtë rast dhe të ngrihet zëri juaj aty ku është vendi. Të dielën, i madh e i vogël, shkoni me votu”, ka apeluar Haradinaj.



