5 mijë euro gjobë për Komunën e Prishtinës për çështjen e mbeturinave
Inspektorati i Mjedisit ka gjobitur me 5 mijë euro Drejtorinë e Inspekcionit të Komunës së Prishtinës, për moskryerjen e detyrave dhe përgjegjësive ligjore lidhur me menaxhimin e mbeturinave vëllimore dhe deponive të dheut.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, përmes një postimi, ku ka theksuar se gjatë inspektimit në deponinë e dheut të N.P.L. “Gjelbër” dhe në hapësirat përreth saj janë konstatuar mbeturina vëllimore jashtë zonës së përcaktuar të deponisë.
Sipas Pacollit, pavarësisht njoftimeve të përsëritura, Drejtoria e Inspekcionit e Komunës së Prishtinës nuk ka ndërmarrë masat e nevojshme për trajtimin e kësaj çështjeje.
Ajo ka theksuar se institucionet publike duhet të jenë shembull në mbrojtjen e mjedisit dhe nuk duhet të neglizhojnë përgjegjësitë ligjore për parandalimin e ndotjes dhe menaxhimin e duhur të mbeturinave.
“Ligji vlen për të gjithë njësoj!”, ka përfunduar Pacolli në postimin e saj.



