21 vjet nga negociatat e Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë me përfaqësuesit e LDK-së dhe UÇK-së për varrimin e 40 martirëve të Reçakut pas autopsisë

11 shkurt 2020 | 16:04

Lulzim Sahiti –

Fragment i shkëputur nga libri në dorëshkrim “Drama e Reçakut”

Jo vetëm pushkatimi i banorëve të pafajshëm të Reçakut, që ishte i rëndë, por edhe pas vdekjes së tyre, të gjallët e Reçakut krahas dhimbjes që kishin u përballën me një sfidë tjetër shumë të madhe rreth ceremonisë së varrimit të të vrarëve. Regjimi kriminal serb kërkonte që dyzet të vrarët të varroseshin në tre lokacione të ndryshme. Pra, insistonin me këmbëngulje që viktimat e Reçakut të mos varroseshin të gjithë përnjëherë po të ndaheshin. Autoritetet serbe, ishin mjaftë të shqetësuar nga jehona e publicitetit që do të shkaktonte varrimi masiv, prandaj insistonin me këmbëngulje që ata të varroseshin në vende të ndryshme. Katër ditë para se të bëhet varrimi i kufomave në Reçak, policia serbe më 7 shkurt 1999 arrestoi imamin e xhamisë së Shtimes, Isa Tërshanin, duke e mbajtur me dhunë në Stacion të Policisë në Shtime. Atij i kërkonin me ngulm që viktimat e Masakrës së Reçakut të varroseshin në tri lokacione. Për tri ditë me radhë i bënë një presion të jashtëzakonshëm dhe kërcënues. Për bisedë informative, atë në ditën e parë e marrin një herë, ndërsa në ditën e dytë tri herë, e të tretën pesë herë. Dita e fundit kishte qenë mjaftë sfiduese dhe kritike për imamin Tërshana sepse forcat kriminale të regjimit serb me një kamion kishin sjellë në oborrin e Shtëpisë së Shëndetit në Shtime, 27 trupa të pajetë të viktimave civile të Reçakut. Policia serbe kishte insistuar vazhdimisht, tek imami i Shtimes, Isa Tërshani që të bënte varrimin e të rënëve jo në Reçak por sipas kësaj skeme: 10 kufoma në Shtime, 15 në Petrovë dhe tjerat në fshatin Mollopolc. Ai organeve policore u kishte thënë: “Më vjen keq por ne me Rregulloren tonë të Bashkësisë Islame e kemi secili imam terrenin e vet dhe nuk kemi të drejtë të përzihemi në xhematin e tjetrit. Në fshatin Reçak nuk është xhemati i xhamisë së Shtimes por këtë të drejt e ka mulla Mahmut Mahmuti nga Reçaku”. Po ky arsyetim nuk kishte ndalur presionin e vazhdueshëm policor me gjuhën e tyre kërcënuese, denigruese e fyese.

Në atë kohë, në qytetin e Shtimes pushtetin politik e ushtronte Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës, përfaqësues të së cilës ishin Gani Shahini e Ali Sadria. Aty shkonin përfaqësuesit e OSBE-së, ku informoheshin nga familjarët e viktimave dhe zyrtarët politik për ngjarjet dhe rrjedhat që ndodhnin ato ditë. Në anën tjetër, serbët  japin ultimatum imamit Tërshana: “Ne do t’i zbrazim kufomat te xhamia e Shtimes, mandej ti vepro çka të duash”. Ndërkaq imami, duke mbajtur të njëjtin qëndrim sërish ju kishte përgjigjur: “Unë nuk kam të drejtë të pranoj asnjë kufomë përderisa nuk jam familjar i tyre”, Të njëjtat biseda, imami në fjalë u kishte përcillë edhe tek familjarët e të rënëve të Reçakut që ishin në pritje në zyret e LDK-së. Gjendje jo e mirë emocionale, shpirtërore por edhe shoqërore ishin në kulmin e saj. Qendra e Shtimes ishte mbushur përplot njerëz, gjithçka pritej me veshët hapur se çka po ndodhë.

Për të diskutuar rreth ceremonisë së varrimit të martirëve të Reçakut, më 9 shkurt 1999, dy vetura të Misionit Verifikues të OSBE-së atë kohë qëndruan në zyrën e Degës së LDK-së në Shtime. Aty morën me vete, anëtarin e Kryesisë së LDK-së, Shaban Halimin për të bashkërenditur veprimtarinë me përfaqësuesit e Drejtorisë për Marrëdhënie Publike dhe Administrim Civil (DMPAC) në Petrovë. Përfaqësuesi i OSBE-së Michael Pedersen së bashku me Shaban Halimin në ora 14:00 arrijnë në Petrovë. Atje takuan drejtorin e DMPAC-së, Ruzhdi Jasharin, eprorin DMPAC-së, Fehmi Mujotën, komandantin e Zonës Operative të Nerodimes, Shukri Bujën, komandantin e Batalionit të Policisë Ushtarake, Isak Musliun, përkthyesin e ZON-së, Arlind Gurizin, Agim Kamerin, Metush Mustafën, Shyqeri Sadikun, Aziz Beqirin, Bedrie Sylën e të tjerë. Këtu janë zhvilluar bisedimet deri pasmesnate, ku ishte prezent ambasadori francez Gabriel Keller – zëvendësshef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, David Moris dhe danezi Michael Pedersen. Këta gjatë gjithë kohës kishin biseduar me radiolidhje në Prishtinë me gjeneralmajorin angelez Karol John Drewienkiewicz, i njohur si “Gjenerali DZ”.

Me delegacionin e Misionit Verifikues të OSBE-së ishte negociuar lidhur me varrimin e të masakruarve. Përfaqësuesit e MVK-së insistonin të bëhej varrimi individual, të cilën gjë e kërkonin autoritetet serbe ndërsa përfaqësuesit e UÇK-së kërkonin me këmbëngulje që varrimi të bëhej kolektiv, të largohen forcat serbe nga “Çesta” (gjë që nuk ka ndodhur), dhe të lejohet varrimi i njëkohshëm dhe masiv. Mandej, është përzgjedhur vendi i quajtur “Roga” në Reçak se përndryshe nëse kishte rënë prej kombinimit ky opsion, përfaqësuesit e UÇK-së do të kishin pasur alternativën tjetër duke i dërguar në “Kodër të Rrahut” në Mollopolc. Negociatorët e përmendur më lartë, sa për sqarim, ishin po të njëjtit që kishin organizuar (organizator i udhëtimit ishte ambasadori Gabriel Keller) shkuarjen edhe të delegacionit të UÇK-së nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës për në Konferecën e Rambouillet në Francë. Ata ju kishin thanë: “Ne kemi bërë shumë për këtë vend”, ndërsa këta ia kishin kthyer: “Thuani ju nëse ka ndonjë kërkesë të paarsyeshme, diçka në vendet e juaja, çka bëhet?”. “Kërkesa më të arsyeshme në vende normale nuk ka por këtu nuk eci”, u përgjigjën negociatorët. Sidoqoftë në ora 24:00 të mesnatës u bë dakordimi. Mujota në përfundim kishte thënë: “Unë e kam edhe një kërkesë me marrë pjesë William Walker në varrim, mbasi ka qenë ditën e parë dhe i ka pa ngjarjet personalisht në Reçak”. Negociatorët, në ora 24:00 kishin dalë dhe kishin kontaktuar me të. Ai, kishte falënderuar që e kishin njoftuar dhe kishte treguar se do të udhëtonte për në Rusi. E kishte shtyrë këtë udhëtim për 24:00 orë për të marrë pjesë në varrim. Kushti kishte qenë pjesëmarrësit në varrim të vijnë pa armë e uniforma ushtarake, domethënë me qenë njerëzit krejtësisht civil.

Pas marrëveshjes verbale të arritur mbrëmë në Petrovë me përfaqësuesit e OSBE-së, më 10 shkurt 1999, profesori i kimisë, Shaban Halimi me shumë fshatarë të Reçakut udhëtojnë me 18 automjete drejt Morgut të Spitalit të Prishtinës. Atje takojnë udhëheqësit e LDK-së, Nekibe Kelmendin, Alush Gashin, Ali Sadriun e të tjerë. Krahas tyre, i pranishëm ishte edhe veprimtari Zekrija Cana. Me këtë rast, Nekibe Kelmendi e kishte udhëzuar Shaban Halimin që të shkonte në selinë e LDK-së në Prishtinë për të marrë 60 flamuj kombëtar, mandej nga aty të vazhdonte rrugën drejt Medreses “Alaudin” për të marrë edhe arkivolet. Arkivolet ishin blerë nga Fondi i Qeverisë së Bujar Bukoshit. Atje, Shabani fillon i vetëm do t’i ngarkonte në kamionë meqë nuk kishte kush tjetër t’i ndihmonte. Pas një kohe atij i  shkojnë në ndihmë një djalë i ri nga Reçaku. Kështu mbasi kompletojnë gjithë arkivolet, kthehen sërish në morg për të marrë trupat e pajetë që ditë më parë u ishte bërë obduksioni.

Atë ditë pak pa rënë muzgu ishin sjellë të gjitha kufomat nga Prishtina me kamionë privatë dhe ishin vendosur në xhaminë e Reçakut. Ky ishte një lajm i mirë dhe udhëheqja e LDK-së në bashkëpunim me qytetarët e fshatit Reçak: Mahmut Mahmuti, Bedrie Syla, Latif Jakupi, Sylejman Halili, Sherife Syla, Ismet Emini e të tjerë, bashkë me Shtabin Civil të UÇK-së (Këshilli i Varrimit që vepronte në kuadër të DMPAC-së: Agim Kameri-kryetar, Metush Mustafa, Aziz Beqiri dhe Shyqeri Sadiku), ku ishte i pranishëm edhe Ruzhdi Jashari, Zekrija Cana, Gani Shahini, Ali Sadria, Isa Tërshana etj., kanë mbajtur një takim të përbashkët në Reçak për të organizuar ceremoninë e varrimit në mënyrën më të mirë të mundshme duke pasur parasysh gjithnjë rrethanat e luftës që ekzistonin. Mbas renditjes së arkivoleve në xhami, në nderim të vikitimave civile, profesori i historisë, Zekrija Cana kishte vendosur nga një lule karafil mbi secilin arkivol. Përndryshe ishte ultimatum i qeverisë serbe që në varrim të mos merrte pjesë asnjë ushtarë i uniformuar i UÇK-së. Përfundimisht, pas 26 dite nisi edhe hapja e varreve për të rënët.

Fotografi e realizuar nga “Shutterstock” më 10 shkurt 1999 gjatë hapjes së varreve të martirëve të Reçakut

Në anën tjetër, më 10 shkurt 1999, prej orës 24:00 – 4:00 të mëngjesit, Fehmi Mujotës i ishte dashur të shkruante me dorë fjalimin e tij, në emër të komandës së Zonës, respektivisht në emër të Shtabit të Përgjithshëm. Pastaj e kishte dërguar në komandë të Zonës, te Hyrë Qazim Emini. Ajo dhe dy-tre veta tjerë ishin të vetmit, në atë kohë që e njihnin punën me kompjuter. Mujota e kishte pyetur Hyrën: “A mundet me deshifruar dhe shkruar fjalimin me kompjuter se kam dëshirë me ua dhënë gazetarëve”. Atë ditë, pritej të vinë shumë gazetarë dhe Mujota përgatitej më herët ngase gjatë varrimit nuk kishte kohë të merrej me media. Një vajzë e Varoshit të Ferizajt, kishte hyrë brenda dhe u kishte thënë: “Mundem me përkthy edhe në anglisht”. Mujota  i kishte thënë: “Nëse e bëni këtë punë bëhet edhe më mirë”. Ato i hyjnë punës dhe shpejtë e bëjnë fjalimin shqip e anglisht. Kjo ishte një punë e mirë që i kishte shpëtuar para se të fillonte varrimi.  Më pas Mujota i kishte marrë disa kopje me vete dhe ia kishte dhënë Arlind Gurizit “Suedezi”-t nga Prizreni, të cilin e angazhoi për t’ua shpërndarë gazetarëve.

Fotografi e realizuar nga Joel Robine “Gettyimages”, më 10 shkurt 1999, në Reçak ku shihet kryetari i Degës së LDK-së, Gani Shahini së bashku me nënlokën Sherife Syla, që ishin në pritje të arkivoleve të martirëve të Reçakut. Nënlokja në kamion kishte trupat e pajetë të djalit të vet, Sheremetit dhe bashkëshortit Shyqeriut. Ajo, ditë më parë kishte varrosur në Mollopolc djalin dëshmor Kadri Shyqeri Sylën, të rënë heroikisht më 15 janar 1999.

Një orë pa filluar varrimi, më 11 shkurt 1999 kishin shkuar në komandë të Zonës përfaqësuesit e OSBE-së dhe e kishin marrë në Mollopolc, Fehmi Mujotën. “Ti jo me ardhë me vetura tjera, ti jo me ardhë në këmbë, ne vijmë të marrim”, i kishin thënë Mujotës ndërkombëtarët. Arsyeja e tyre ishte sepse siç i thanë: “Ekziston rrezikshmëri e lartë për personin e caktuar që edhe gjatë fjalimit të vritet me snajper”. Nga “Çesta”, ku ishin forcat serbe deri te vendvarrimi ishte vetëm 500 metra vijë ajrore. Në veturën e portokalltë, Mujotën e kishin vendosur për çështje të sigurisë në anën e majtë. Kur kishin mbërri në Reçak, kishin parë se ishte mbledhur masë e madhe e njerëzve.

Hoxhollarët duke kryer ritmet fetare në Reçak

Paraprakisht, kur kishin nxjerrë kufomat nga xhamia dhe kishin vendosur në oborr të shkollës, ishte paraqitur një telashe, a të varroseshin viktimat me a pa rite fetare. Disa kishin qenë për disa kundër. Me këtë rast, ndërhyn Mujota duke ju thënë: “Kjo çështje nuk prishë punë, le të kryejnë hoxhollarët ritet fetare”. Në këtë formë edhe ish tejkaluar një ngatërresë e çastit. Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Rexhep Boja është ai që ka udhëhequr namzin e faljes së kufomave, ndërsa lutjen për të rënët e kishte bërë, imami Isa Tërshani, ku merrnin pjesë mbi 50 hoxhollarë.

11 shkurt 1999 – Fehmi Mujota dhe William Walker gjatë ceremonisë së varrimit të martirëve në Reçak

Thuhet se Walkeri nga ballkoni i shkollës së vjetër të Reçakut mund t’i shihte autoblindat dhe tankset serbe në “Çestë” . Ai kishte thënë: “Mbajeni mend, kurrë më djalli nuk ka për ta vizituar Kosovën”. Mandej, kishte bërë me dije se nuk do të  mund të rrinte deri në fund të ceremonisë pasiqë i duhej të nisej shpejt për Shkup për të udhëtuar në Moskë. Po ashtu para se të nisej kishte pyeti: “Kush do të flas?”, Mujota ui kishte përgjigj:  “Unë”. “Çkado që mund të flasim unë dhe ti, nuk është asgjë në krahasim me këtë popull, këtë vend dhe këtë dëshirë për liri” kishte përfunduar Wolker.

Fotografi e realizuar nga “Gettyimages” – Tyler Hicks, 11 shkurt 1999, Shukri Buja dhe Gazmend Bytyçi në ceremoninë e varrimit në Reçak

Pak para se të fillonte ceremonia, kishte ardhur komandanti i ZON-së, Shukri Buja dhe ishte futur në masë me tre ushtarë (Gazmend Bytyçi, Lutfi Buja dhe Arlind Gurizi). Shukriu dhe Gazmendi ishin me rroba ushtarake dhe të armatosur me automatikë. Ndërkohë ishte afruar dikush nga OSBE-ja, (që kishte negocuar më parë në Petrovë me përfaqësuesit e UÇK-së), afër Wolkerit dhe i kishte thënë: “Marrëveshja ka qenë ndryshe. Këta e kanë thyer marrëveshjen”. Walkeri instinktivisht menjëherë kishte reaguar duke bërë “Ov” dhe ishte vërejtur në fytyrë se mund të refuzonte fjalimin e tij. Përkthyesja kishte reaguar shpejtë duke i thënë Fehmi Mujotës: “Thuaj diçka, bënë diçka për me dalë nga situata”.Çka me thënë”, kishte rënë në dilemë të madhe Mujota. “Ndëgjoni! Armët i tërheqim, rrobat nuk mundemi por nuk shihen se masa është e madhe” ju thotë Mujota. Ata kishin pyetur: “A e di arsyen pse ka ardhur komandanti i armatosur?”. Për një çast, Fehmiu për t’u nxjerrë nga kjo situatë tepër e rëndë i ishte kujtuar fjalimi i tij në shqip dhe anglisht dhe ju kishte thënë: “Fjalimin tim dikush ka pasur me sjellë, meqë nuk ka arritur me bërë me kohë atë është detyruar me sjellë komandanti me këta ushtarë. Armët po i largojmë prej trupit por këta më nuk mund t’i largojmë”. Walker u përgjigj: “OK! OK!”. Armët ishin larguar pak më poshtë si dhe ushtarakët ishin vendosur, poashtu, pak më larg. Kështu arritën të shpëtojnë nga kjo situatë e palakmueshme.

 

Nderimet e fundit për të rënët në oborrin e shkollës fillore “Skënderbeu” në Reçak

Mandej, kishin hyrë në masë, mirëpo mikrofona nuk kishte. Shpërndajnë fjalimet gazetarëve. Pastaj, ishte ftuar Basri Ejup Bajrami, për hapjen e tubimit mortor. Ai ceremoninë e varrimit e kishte nisur me një minutë heshtje për të rënët, për t’i dhënë më pas fjalën, përfaqësuesit të Drejtorisë për Marrëdhënie Publike dhe Administrim Civil të Shtimes, Fehmi Mujotës. Vendi i varrimit ishte shpatë dhe mbretëronte qetësi e madhe. Edhe pse nuk kishte mikrofona, ishte dëgjuar zëri mirë. Mbas përfundimit të fjalimit të shefit të Misionit Verifikues në Kosovë, William Wolker, Mujota e kishte përcjellë atë deri në rrugë te shkolla e fshatit që bartë emrin e heroit tonë kombëtar ”Skënderbeu”. Aty, Mujota i kishte uruar rrugë të mbarë, ndërsa Wolkeri do ta falënderonte më shumë ata që ishin në rreth të tij. Wolker po shkon në Rusi, në një takim shumë të rëndësishëm, ku kishte për t’u takuar me kryeministrin rus Viktor Çernomerdin për çështjen e Kosovës.

Ndërsa, ata që e kishin marrë Mujotën në Mollopolc, për shkaqe sigurie më nuk e lanë atë të kthehet në masë duke i thënë: “Jo jo, ne e kemi kryer punën tonë. Ti në veturë me neve”. Me veturat e para, lëshohen teposhtë prej pjesëmarrësve. Në anën e majtë, qëndronin forcat serbe, ndërsa këta dalëngadalë kishin ecnur me makinë nëpër rrugë dhe me një kujdes të veçantë ishin larguar nga vendvarrimi. Po ashtu për çështje sigurie, me insistim të ndërkombëtarëve Fehmi Mujota ishte ulur në veturë në anën e djathtë ngase në anën e majtë kishin qenë forcat serbe të dislokuara në “Çestë”.

11 shkurt 1999 – Kryetari i Degës së LDK-së, Gani Shahini me bashkëpunëtorë

Në anën tjetër, ceremonia e varrimit kishte vazhduar, ku në emër të Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut (KMLDNJ), dr. Pajazit Nushi kishte marrë fjalën, ndërsa një fjalë mortore kishte mbajtur edhe Xhemajl Mustafa, këshilltar për Informim i kryetarit të LDK-së, Ibrahim Rugova dhe në emër të bashkëfshatarëve të viktimave, lamtumirën e fundit ua dha Agim Kameri. Në shenjë nderimi, në fund të ceremonisë, Kori i Burrave të Gjakovës, nën drejtimin e Rauf Dhomit, interpretoi këngën mortore “Lamtumirë”.

Me këtë rast, në Kompleksin Përkujtimor të Reçakut janë varrosur:

  1. Ahmet Izet Jakupi, 28. 2. 1942, Reçak – 15. 1. 1999, Reçak
  2. Ahmet Zenun Mustafa, 1. 1. 1930, Reçak – 15. 1. 1999, Reçak
  3. Ajet Minush Brahimi, 3. 2. 1959, Reçak – 15. 1. 1999, Reçak
  4. Arif Murat Metushi, 25. 9. 1946, Reçak – 15. 1. 1999, Reçak
  5. Bajram Haki Xheladini, 24. 2. 1964, Reçak – 15. 1. 1999, Reçak
  6. Bajram Sokol Mehmeti, 26. 8. 1945, Reçak – 15. 1. 1999, Reçak
  7. Bajrush Nysret Shabani, 1. 11. 1976, Reçak – 15. 1. 1999, Reçak
  8. Banush Azem Kameri, 4. 9. 1936, Reçak – 15. 1. 1999, Reçak
  9. Bujar Hanifi Hajrizi, 17. 2. 1979, Reçak – 15. 1. 1999, Reçak
  10. Eshref Halim Jakupi, 11. 3. 1945, Reçak – 15. 1. 1999, Reçak
  11. Fatmir Faik Ramadani, 27. 4. 1961, Reçak– 15. 1. 1999, Reçak
  12. Hajriz Brahim Brahimi, 15. 4. 1937, Reçak – 15. 1. 1999, Reçak
  13. Haki Murat Metushi, 10. 10. 1937, Reçak – 15. 1. 1999, Reçak
  14. Hakip Imer Imeri, 26. 8. 1966, Reçak – 15. 1. 1999, Reçak
  15. Halim Rizah Beqiri, 24. 7. 1985, Reçak – 15. 1. 1999, Reçak
  16. Hanumshahe Bajram Mehmeti, 10. 10. 1977, Reçak – 15. 1. 1999, Reçak
  17. Haqif Shefki Hysenaj, 5. 5. 1949, Petrovë – 15. 1. 1999, Reçak
  18. Jashar Milaim Salihu, 8. 9. 1974, Reçak – 15. 1. 1999, Reçak
  19. Lutfi Hasan Bilalli, 15. 7. 1957, Reçak – 15. 1. 1999, Reçak
  20. Mehmet Qerim Ahmeti, 17. 8. 1955, Reçak – 15. 1. 1999, Reçak
  21. Mufail Mehdi Hajrizi, 1. 2. 1969, Reçak  – 15. 1. 1999, Reçak
  22. Muhamet Faik Ismajli, 14. 4. 1955, Reçak – 15. 1. 1999, Reçak
  23. Muhamet Hafiz Mustafa, 15. 1. 1978, Reçak – 15. 1. 1999, Reçak
  24. Murtez Ramiz Imeri, 20. 5. 1979, Reçak – 15. 1. 1999, Reçak
  25. Mustafë Beqë Asllani, 24. 10. 1968, Rancë – 15. 1. 1999, Reçak
  26. Nazmi Nuhë Imeri, 13. 6. 1917, Reçak – 15. 1. 1999, Reçak
  27. Nexhat Faik Ramadani, 10. 2. 1978, Reçak – 15. 1. 1999, Reçak
  28. Njazi Sherif Zymeri, 10. 7. 1954, Reçak – 15. 1. 1999, Reçak
  29. Ragip Jahir Bajrami, 18. 11 1964, Reçak – 15. 1. 1999, Reçak
  30. Raif Milaim Salihu, 12. 3. 1978, Reçak – 15. 1. 1999, Reçak
  31. Rizah Maliq Beqiri, 10. 5. 1946, Reçak – 15. 1. 1999, Reçak
  32. Sabri Murat Syla, 16. 6. 1939, Reçak – 15. 1. 1999, Reçak
  33. Sadik Xhemë Osmani, 21. 5. 1954, Reçak – 15. 1. 1999, Reçak
  34. Salih Faik Ramadani, 26. 4. 1974, Reçak – 15. 1. 1999, Reçak
  35. Sheremet Shyqeri Syla, 5. 11. 1962, Reçak – 15. 1. 1999, Reçak
  36. Shukri Milaim Salihu, 6. 2. 1980, Reçak – 15. 1. 1999, Reçak
  37. Shyqeri Smajl Syla, 1. 1. 1938, Reçak – 15. 1. 1999, Reçak
  38. Skender Sylejman Halili, 17. 12. 1968, Reçak – 15. 1. 1999, Reçak
  39. Xheladin Ahmet Jakupi, 5. 4. 1982, Reçak – 15. 1. 1999, Reçak
  40. Zenel Shefqet Beqiri, 22. 9. 1978, Prishtinë (Reçak) – 15. 1. 1999, Reçak.

Ndërsa për Sahide Hysen Metushin (6. 6. 1938 – 15. 1. 1999), varri ishte hapur por mungonte trupi i të ndjerës për ta varrosur me dinjitet ngase forcat kriminale serbe në ditën e krimit kishin zhdukur çdo gjurmë të saj. Banorët deri vonë ia kishin lënë varrin hapur me shpresën se eshtrat e saj do të zënë vend pranë trupave të tjerë. Meqenëse eshtrat e saj nuk u gjetën kurrë, andaj varrin e saj e kanë mbuluar me dhe.

Sahide Metushi ende figuron në listën e personave të zhdukur

Pas çlirimit të Kosovës, në Kompleksin Memorial të Reçakut, më 30 gusht 1999 u bë rivarrimi i tri viktimave civile të fshatit, të vrarë nga forcat serbe në tri lokacione të ndryshme:

  1. Avdyl Sejdi Sejdiu, 1. 1. 1900, Reçak – 2. 4. 1999, Greme (Ferizaj)
  2. Halit Shaban Shaqiri, 5. 1. 1940, Reçak – 14. 4. 1999, Shtime
  3. Hasan Rizah Beqiri, 1. 7. 1983, Reçak – 12. 5. 1999, Caravik mbi Petrovë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vëllaznimi ka mundur Istogun me rezultat 77:54 (24:8, 12:15, 23:11,…