246-vjetori i pavarësisë së ShBA-së, Osmani i shkruan letër Bidenit

04 korrik 15:38

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e ka uruar presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joseph R. Biden Jr, me rastin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë.

Osmani në letrën që ia ka dërguar Bidenit ka shkruar se “lidhja midis dy kombeve tona është krijuar në disa prej ditëve tona më sfiduese dhe është forcuar gjatë ditëve tona më të mira”.

Letra e plotë:

I nderuari Joseph R. Biden Jr, president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës

I nderuar president Biden,

Në emër të popullit të Republikës së Kosovës, ju shpreh urimet e mia më të ngrohta për ju dhe popullin amerikan me rastin e festimit të 4 Korrikut. Ne bashkohemi me ju dhe miqtë e Shteteve të Bashkuara në mbarë botën për ta festuar këtë ditë të gëzueshme.

Ndërsa shumë gjëra kanë ndryshuar në rrjedhën e historisë, vendosmëria dhe fryma e Etërve Themelues për të drejtuar Shtetet e Bashkuara për t’u bërë fuqia më e madhe demokratike, ekonomike dhe ushtarake e botës ka mbetur e pranishme në të gjithë botën. Kjo është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë një fanarë shprese dhe mbrojtësi më i vendosur i idealeve tona të përbashkëta të demokracisë dhe lirisë.

Në këtë kohë kyçe për botën tonë dhe për idealet tona të fituara me mund, ne vlerësojmë qasjen tuaj parimore dhe mbështetjen tuaj të palëkundur për unitetin dhe sigurinë në Evropë, pasi kontinenti ynë përballet me një nga sfidat më të mëdha dhe më shkatërruese të kohës sonë.

Shtëpia e të lirëve dhe e trimave është sot një mbrojtës global i paqes dhe lirisë, dhe një vend shprese e rehatie për njerëzit në mbarë botën që besojnë në të njëjtin vizion për të ardhmen. Ne shikojmë drejt jush dhe jemi gati t’u mbështesim në mbrojtjen e vlerave në të cilat ne dhe njerëzit tanë besojmë.

Lidhja midis dy kombeve tona është krijuar në  disa prej ditëve tona më sfiduese dhe është forcuar gjatë ditëve tona më të mira. Gjatë dekadave të fundit, vendet tona jo vetëm që janë forcuar, por edhe jemi rritur së bashku. Në veçanti, populli i Republikës së Kosovës është mirënjohës për mbështetjen tuaj personale dhe të vazhdueshme, ndaj ne vazhdojmë të llogarisim tek ju, përderisa ecim përpara në rrugën tonë të qëndrueshme drejt integrimit në strukturat euroatlantike dhe në strukturat e tjera ndërkombëtare që promovojnë vizionin tonë të përbashkët dhe qëllimet.

Sot populli i Kosovës feston përkrah miqve dhe aleatëve tanë amerikanë dhe flamujt tanë valëviten me krenari krah për krah. Më lejoni t’u shprehë përsëri urimet tona më të mira për këtë ditë të veçantë dhe t’u uroj juve dhe popullit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gëzuar 4 Korrikun.

Ju lutem, zoti president, pranoni shprehjen e vlerësimit tim më të lartë për ju dhe vendin tuaj.

Sinqerisht,

Vjosa Osmani – Sadriu

presidente e Republikës së Kosovës

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se Qeveria e Kosovës edhe…