25 VJET MË PARË….

24 mars 2023 | 22:34

Shkruan: Ernest Luma

Me dëshmorin Agron Mehmetaj u pata njohur në banesën time, në Aktash II, në Bregun e Diellit, në Prishtinë.

Viti 1997. Ishte student i vitit të parë të Telekomunikacionit. Më kujtohet përshëndetja e fundit. Një djalosh me pak fjalë.

Pas bisedave për atë që po ndodhte dhe nën melodinë e këngëve korale, nga një kasetë klasike kasetofoni, si “Për mëmëdhenë, vraponi burra – nuk ka me pritë…” ose “Eja mblidhuni këtu-këtu, bashkë me ne…”, Agroni u përshëndet heshturazi me të gjithë dhe eci në drejtim të stacionit të autobusëve në Prishtinë… Mori rrugën për Dukagjin, dhe s’u pamë më. Më 24 Mars 1998, në mbrëmje, kuptuam se veten ia fali atdheut.

Patjetër, se për të ecur drejt dhe saktë përpara, gjithmonë na duhet ta kthejmë kokën prapa.

Më kujtohet si sot, edhe disa javë pas rënies, ende nuk kishin guxim të besonin se ata ranë për t’ia dhënë goditjen e fundit një regjimi që ua kishte futë frikën në palcë mbi dy milionë shqiptarëve në Kosovë. Dikush i quante aventuristë, dikush të frustruar e dikush… Por, pakkush kishte kurajon të pranojë se ata ishin ndër dëshmorët e parë të lirisë që po niste.

Dikujt mund t’i tingëllojë romantike, e dikujt si në legjendat mijëvjeçare, por, jo – Gazmend e Agron Mehmetaj e Himë Haradinaj ranë në 24 Marsin e vitit 1998, si pasues të rrugës së Luan Haradinajt, Zahir Pajazitit, Adrian Krasniqit, Adem Jasharit dhe shumë të tjerëve. Ata e bënë një histori të re.

25 vjet më parë, në Gllogjan, nën udhëheqjen e Ramush Haradinajt po ndodhte në praktikë ajo që të tjerët e kishin lexuar deri atëherë në faqe të historisë dhe e kishin dëgjuar vetëm në përrallat e gjyshërve.

Megjithatë, uroj që të kemi vetëdijen dhe kurajon të dimë, së paku sot, se cilët ishin ata që bënë kthesën.

Lavdi atyre që ranë më 24 Mars 1998. Lavdi atyre që ranë para kësaj date dhe pas saj. Faleminderit të gjithëve! Sigurisht, se pa ata, nuk do të ishim sot këtu.

Mirënjohje dhe falënderim NATO-s, SHBA-ve dhe 19 vendeve të atëhershme perëndimore që na u gjetën në krah, në të drejtën tonë.

Liria që po e gëzojmë sot pati çmimin, emrin dhe bartësit e saj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
25.03.2023 Punime të domosdoshme për siguri të sistemit Mitrovicë 1.…