Nata e 17-të, Prishtina drejt daljes nga karantina (Video/Foto)

28 prill 2020 | 23:11

Kryeqyteti sonte ka hyrë në natën e 17-të në karantinë.

Nga rezultatet që dolën sonte nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) nuk ka asnjë rast me Covid-19 në Prishtinë, kështu që kryeqyteti po shkon drejt daljes nga karantina.

Sipas këtyre rezultateve në përgjithësi, rastet me Covid-19 që dy ditë kanë rënë në numër, ndërkaq është rritur numri i të shëruarve nga ky virus. Veç sonte janë konfirmuar 31 raste të shëruara, ndërkaq numri i infektuar për ditën e martë ka qenë 10, raporton “Epoka e re”.

Deri më tani numri i të infektuarve me Covid-19 në Kosovë ka shkuar në 790.

Numri i të shëruarve me Covid-19 ka arritur në 232, kurse 22 pacientë kanë humbur jetën.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se rezultatet e një dite më parë dhe këto të sotmet janë shpresëdhënëse për dalje nga kjo pandemi.

“Të bashkuar dhe të koordinuar e me përkushtim do ia dalim. Kujdesi duhet të vijojë njëjtë si deri tani, sakrifica e secilit po i jep rezultatet. Ndaj le të jemi të vëmendshëm e solidarë si deri tani”, ka shkruar në llogarinë e vet në “Facebook” ministri Vitia.

Edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar pas rezultateve që publikoi sonte IKSHPK-ja, duke theksuar se tani është koha për ndryshim të masave.

“0 (zero) në Prishtinë e 10 në krejt Kosovën. Është koha për kalendar që ju tregon qytetarëve se kur fillojnë të relaksohen masat. Duke filluar nga dyqanet e vogla në fazën e parë e deri te gastronomia në fazën e fundit. Kemi nevojë për planifikim dhe masa ekonomike. Prishtina është gati për zbatim. Bashkë me qytetarët do t’ia dalim”, ka shkruar në llogarinë e vet në “Facebook” Ahmeti.

Më poshtë keni videot dhe fotot të realizuara sonte në Prishtinë nga ekipi i “Epokës së re”:

 

 

 

 

 

 

 

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ndërsa sezonin 2019-2020 është zyrtarisht i përfunduar në Francë, Bundesliga…