31 kandidatë për deputetë kanë probleme me ligjin

19 janar 2021 | 12:04

Ekipi i monitoruesve dhe hulumtuesve të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) ka hulumtuar integritetin e kandidatëve të partive politike të përfshirë në listat zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme të cilat do të mbahen më 14 shkurt 2021. Sipas këtij hulumtimi, nga 1 079 kandidatët që kanë aplikuar për regjistrim në KQZ, 31 prej tyre janë të dënuar ose kanë aktakuza aktive.

Gjetjet e hulumtimit të IKD-së tregojnë se në listën zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje (LV), prej 110 kandidatëve për deputetë, janë 10 kandidatë me aktakuza dhe 2 kandidatë me dënime të plotfuqishme gjatë tre vjetëve të fundit, raporton “Epoka e re”.

Kandidatë me dënime të plotfuqishme janë Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu, të cilët kanë qenë të akuzuar për përdorim të  armës dhe pengim të personit zyrtar.

Ndërsa kandidatët Glauk Konjufca, Arbërie Nagavci, Mimoza Kusari Lila, Xhelal Sveçla, Fitore Pacolli, Valon Ramadani, Jetmire Vrenezi, Drita Millaku, Ekrem Mustafa, Sali Zyba, akuzohen për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, ose “përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Për PDK-në gjetjet e hulumtimit të IKD-së tregojnë se në listën zgjedhore të kësaj partie nga 110 kandidatë për deputetë, prej tyre, në tri vjetët e fundit rezulton se kandidati Lulzim Abazi është dënuar me 500 euro gjobë dhe gjashtë (6) muaj burgim me kusht, me aktgjykim të shkallës së parë për veprën penale “Mosraportim ose raportim i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Po në listën e PDK-së për kandidat për deputetë janë edhe të paktën katër kandidatë ndaj të cilëve ka aktakuza aktive. Për tre prej tyre (Sadik Halitjaha, Xhavit Haliti dhe Ramë Vataj) gjykimi është në proces në shkallës së parë. Ndërsa për Kujtim Gashin ka përfunduar gjykimi në shkallë të parë me aktgjykim lirues, porse vendimi ende nuk është i formës së prerë.

Gjetjet e hulumtimit të IKD-së tregojnë se në listën zgjedhore të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), nga 110 kandidatë për deputetë, rezulton se është një kandidat i cili ka aktakuzë aktive, pasi ai është liruar nga gjykata e shkallës së parë, mirëpo ndaj tij ende nuk ka vendim nga Gjykata e Apelit si gjykatë e shkallës së dytë. Ky kandidat është Sali Asllanaj dhe është i akuzuar për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Edhe AAK-ja në listën e vet ka futur kandidatë me aktakuza. Hulumtimi i IKD-së tregon se në listën zgjedhore të kësaj partie nga 110 kandidatë për deputetë, janë tetë kandidatë ndaj të cilëve ka aktakuza aktive. Për shtatë prej tyre gjykimi është në proces në shkallë të parë. Time Kadrijaj, Pal Lekaj, Teuta Haxhiu, Haxhi Shala, Shkumbin Demaliaj, Gani Dreshaj, Rrustem Berisha akuzohen për hedhje ta gazit  lotsjellës në Kuvend. Pra, aktakuzat e tyre kanë të bëjnë “me mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm dhe pengim i personit zyrtar”, ose “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Kurse për kandidaten Meliza Haradinaj, rasti është kthyer në rigjykim dhe është në proces në shkallë të parë. Akuza është për “mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare”.

Gjetjet e hulumtimit të IKD-së tregojnë se në listën zgjedhore të Nismës Socialdemokrate, nga 110 kandidatë për deputetë, rezulton se dy prej tyre janë të dënuar me aktgjykim të formës së prerë në tre vjetët e fundit. Endrit Shala është dënuar “për përdorim të armës” dhe “lëndim i lehtë trupor”, kurse kandidati Aziz Thaqi është dënuar “për mosraportim ose raportim të rremë të pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër materiale ose të detyrimeve financiare”.

Derisa një kandidat tjetër, Besnik Berisha, është me aktakuzë aktive, pasi akuzohet “për zbulim të fshehtësisë zyrtare”.

Gjithashtu, gjetjet e hulumtimit të IKD-së tregojnë se në listën zgjedhore të Listës Serbe, nga 20 kandidatë për deputetë, rezulton se një kandidat i saj, Milan Aritonoviç, është i dënuar me 500 euro gjobë me aktgjykim të formës së prerë për veprën penale “Mosraportim ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Në listën e Listës Serbe për kandidat për deputet është edhe një kandidat, Ivan Todosijeviq, cili ka aktakuzë aktive, pasi ai është dënuar nga gjykata e shkallës së parë, mirëpo ndaj tij ende nuk ka vendim nga Gjykata e Apelit si gjykatë e shkallës së dytë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) zyrtarisht të hënë i është drejtuar gjashtë institucioneve për verifikimin e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e parakohshme. Këto institucione duhet t’i përgjigjen KQZ-së deri më 20 janar.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit do të marrin pjesë 21 subjekte politike, dy koalicione parazgjedhore dhe pesë iniciativa qytetare. KQZ-ja ka bërë me dije se numri i përgjithshëm i kandidatëve për këto zgjedhje është 1 079.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qytetari Naim Tërbunja ka realizuar një tatuazh ku paraqet fytyrën…