90 mijë euro për diasporën, Kurti: E realizuam premtimin
Qeveria e Kosovës ka ndarë 90 mijë euro për realizimin e një programi të propozuar nga Ministria e Punëve të Jashtme, e cila mundëson që mërgata të angazhohet për gjashtë muaj në institucionin në fjalë.
Pra, përmes këtij programi qeveria po stimulon rritjen e rolit të mërgatës në zhvillimin dhe promovimin e vendit, e cila njihet ndryshe edhe si diplomaci qytetare.
E sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me vendimin në fjalë Qeveria e Kosovës po e përmbush një pikë të programit të tij qeverisës.
“Paraqes para jush propozim-vendimin e MPJD-së për miratimin e programit për diplomaci qytetare dhe ndarjen e mjeteve buxhetore prej 90 mijë euro për realizimin e këtij programi. Pra ky propozim-vendim ka përfshirjen e diasporës në politikëbërje dhe të forcojë lidhjen e saj me Kosovën, duke iu dhënë mundësi për përfshirje të drejtpërdrejtë në politikën e Kosovës”, ka thënë Kurti.
Në anën tjetër ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka bërë me dije se ky program, është një pilot-projekt që do t’i mundësojë diasporës që të angazhohet për gjashtë muaj në dikasterin që ajo e drejton.
“Programi është program-pilot i ministrisë dhe qëllimi është që të ndërlidhë profesionistët nga mërgata dhe duke iu ofruar mundësi angazhimi në MPJD, si pjesë e një programi gjashtë mujor. Kjo për t’i shkëmbyer përvojat për diplomaci publike dhe ekonomike. Ky program synon të forcojë edhe më tej lidhjen e mërgatës dhe Kosovës”, ka thënë ajo.