BE-ja, ultimatum Serbisë për ulje tensionesh dhe zbatim të marrëveshjeve me Kosovën
Serbia duhet të përshpejtojë dukshëm reformat në fushën e sundimit të ligjit dhe të zbatojë në mënyrë konsekuente ligjet e miratuara për mediat dhe Listën e Unifikuar të Votuesve – kështu thuhet në projekt-konkluzionet e reja të Këshillit të Ministrave të BE-së lidhur me Serbinë dhe procesin e zgjerimit, të cilat i publikon Danas.
Drafti rikujton vlerësimin e Komisionit Evropian se Serbia është teknikisht e përgatitur për hapjen e grupit të negociatave 3, që lidhet me konkurrencën dhe rritjen gjithëpërfshirëse. Megjithatë, theksohet se Këshilli do ta shqyrtojë këtë hap në një moment tjetër, pa dhënë afat të caktuar.
Dokumenti vë në dukje se vendet anëtare do të marrin vendime të mëtejshme në varësi të progresit shtesë të Serbisë, veçanërisht në sundimin e ligjit dhe në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Prishtinën, bazuar në kornizën negociuese dhe raportin e progresit për vitin 2025.
BE shpreh shqetësim për tensionet e vazhdueshme dhe “polarizimin e thellë” brenda shoqërisë serbe, si dhe për pengesat që lidhen me lirinë e shprehjes dhe të medias. Edhe pse integrimi evropian vlerësohet si interes strategjik i Serbisë, kërkohet që kjo të demonstrohet qartësisht me vullnet politik, veprime konkrete dhe komunikim të hapur.
Në draft përmenden gjithashtu “protestat masive” pas incidentit në stacionin e trenit në Novi Sad. BE nënvizon se liria e tubimit, edhe pse përgjithësisht respektohet, kërkon mbrojtje të mëtejshme, ndërsa siguria e gazetarëve duhet të garantohet. Raportimet për përdorim të tepruar të forcës nga organet e rendit kërkojnë hetim të plotë dhe të paanshëm.
Serbia ftohet të krijojë kushte për dialog gjithëpërfshirës me të gjitha palët e interesuara, përfshirë shoqërinë civile, dhe të garantojë mbrojtjen e të drejtave themelore, lirinë e medias dhe të drejtat e pakicave. BE e mirëpret miratimin e ligjeve të reja mediatike, por pret zbatim “si në letër, ashtu edhe në praktikë”.
Në dokument kërkohet gjithashtu përfundimi urgjent i emërimeve në Këshillin e REM-it dhe angazhim më i fuqishëm në luftën kundër dezinformimit. Sipas Këshillit, nuk ka progres në fushën e drejtësisë, ndërsa përparimi në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar mbetet i kufizuar.
Vlerësohen ndryshimet në ligjin për Listën e Unifikuar të Votuesve, por theksohet se efekti i tyre varet nga zbatimi i duhur dhe rishikimi i plotë i listës. Serbia inkurajohet të zbatojë rekomandimet e ODIHR-it dhe Këshillit të Evropës për zgjedhjet.
Sa i përket dialogut Kosovë–Serbi, drafti thekson se progresi i të dyja palëve drejt BE-së do të kushtëzohet nga zbatimi i plotë i Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksit të Ohrit, si dhe i marrëveshjeve të mëhershme, “pa kushte dhe pa vonesa”. Serbia pritet të njohë dokumentet dhe simbolet e Kosovës, sipas marrëveshjes së vitit 2023, dhe të mos kundërshtojë anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare.
BE kërkon zgjidhje të koordinuara për funksionimin e shërbimeve publike të financuara nga Serbia në Kosovë dhe pret që serbët të kthehen në institucionet kosovare në të gjitha nivelet – nga gjykatat te policia.
Këshilli shpreh “shqetësim të thellë” për mungesën e përgjegjësisë nga pala serbe lidhur me sulmin e armatosur në Banjskë në shtator 2023.
Përmenden edhe shqetësimet për procesin e përshpejtuar të dhënies së pasaportave serbe qytetarëve rusë, të cilat BE i konsideron si potencialisht problematike për sigurinë e Unionit.
Pavarësisht rritjes së përputhshmërisë së politikës së jashtme të Serbisë me atë të BE-së, kërkohet që Beogradi të ecë më shpejt drejt harmonizimit të plotë, sidomos për sanksionet kundër Rusisë dhe Bjellorusisë, dhe të shmangë veprime ose deklarata që bien ndesh me qëndrimet e BE-së. Ndihma për Ukrainën vlerësohet pozitivisht, ashtu si angazhimet për parandalimin e shmangies së sanksioneve.



