‘Europe Magazine’ për lirinë e medieve, Kosova në fund të listës
“Europe Magazine (EM)” ka përshkruar “dallime shqetësuese” në vendet evropiane lidhur me lirinë e medias.
Duke iu referuar renditjes së fundit të “Reporterët pa Kufij”, “EM”-ja ka shkruar se si Norvegjia, Estonia, Holanda, Suedia, Finlanda dhe Danimarka kryesojnë listën si shembuj për ofrimin e mbrojtjes së fortë ligjore për gazetarët dhe mjedisin e favorshëm mediatik.
Kosova përmendet si një prej vendeve ku liria e medias mbetet e cenueshme.
“Megjithatë, panorama më e gjerë në Evropë tregon dallime shqetësuese. Vendet e Evropës Jugore dhe Lindore performojnë dukshëm më dobët. Greqia renditet më keq në BE për katër vitet radhazi, e prekur nga survejimi me spyware, ndërhyrjet politike dhe ngacmimet ligjore ndaj gazetarëve. Ballkani Perëndimor gjithashtu mbetet i cenueshëm, me vende si Bosnja, Serbia dhe Kosova që kanë rezultate të dobëta”, është thënë në raportin e “Europe Magazine”.
Në nivel global, “EM” ka shkruar se “perspektiva është edhe më shqetësuese”.
“Për herë të parë që nga fillimi i indeksit në 2002, mesatarja globale e lirisë së shtypit ka rënë nën 55, me më shumë se gjysmën e vendeve të klasifikuara si me kushte ‘të vështira’ ose ‘shumë serioze’ për gazetarinë. Përqendrimi i mediave, presioni politik dhe paqëndrueshmëria ekonomike janë faktorë kryesorë që kontribuojnë”.
“Pavarësisht udhëheqjes së përgjithshme të Evropës, ndarja e brendshme në rritje dhe regresi global ngre pyetje urgjente për të ardhmen e gazetarisë së lirë. A mund të mbetet liria e shtypit një gur themeli i demokracisë nëse ka kaq shumë rajone duke përfshirë pjesë të Evropës që po përpiqen ta mbrojnë atë?”, ka shkruar “EM”-ja.
Në kontinent, Kosova renditet e pesta prej fundit për lirinë e medias. Pas saj janë vetëm Gjeorgjia, Turqia, Bjellorusia dhe Rusia.



