Sallahu viziton organizatën joqeveritare “HandiKos”, sheh nga afër kushtet e kësaj organizate
Ministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, vazhdoi aktivitetet në kuadër të Fushatës Globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, me një vizitë në organizatën joqeveritare “HandiKos”, e cila zhvillon veprimtarinë në tërë territorin e Kosovës me 13 Zyra lokale dhe 14 Qendra të Rehabilitimit të Bazuar në Bashkësi.
Ministri Sallahu, gjatë takimit, falënderoi stafin për përkushtimin dhe rikonfirmoi mbështetjen e Ministrisë së Drejtësisë për organizata, veçanërisht ato të cilat punojnë me kategoritë e cenueshme.
Teksa ministri Sallahu pa nga afër sallat e shërbimeve, drejtori i “HandiKos”, Afrim Maliqi, së bashku me stafin profesional, e informuan atë për veprimtarinë e organizatës me 18,000 anëtarë me aftësi të kufizuara fizike dhe të kombinuara të moshave, gjinive, dhe etnive të ndryshme.
Ndër projektet më të rëndësishme u veçuan: projekti për intervenime në fëmijërinë e hershme, projekti për fëmijë me aftësi të kufizuar, si dhe projekti i shërbimeve në shtëpi për anëtarët e rritur i cili është i mbështetur nga Ministria e Drejtësisë.
Përveç ofrimit të shërbimeve për anëtarët, “HandiKos” ka avokuar, lobuar dhe ka marrë pjesë në krijimin, ndryshimin dhe monitorimin e implementimit të infrastrukturës ligjore në fushën e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara.



