Në kryeqytet, Sigal Prishtina ka shënuar fitore dramatike ndaj Bashkimit me rezultat 72:70. Mysafirët nga Prizreni e kanë nisur më mirë ndeshjen dhe e kanë fituar çerekun e parë 17:24, por prishtinasit kanë reaguar në periudhën e dytë dhe kanë shkuar në pushim me epërsi 42:39.
Pjesa e dytë e takimit ka qenë shumë e luftuar, me rezultatin që ka mbetur i hapur deri në sekondat e fundit. Në aksionin vendimtar, Anderson nuk ka qenë i saktë për tri pikë për Bashkimin, ndërsa Prishtina është treguar më e qetë në momentet vendimtare për të siguruar fitoren.
Te vendasit janë dalluar Kelby Kramer me dhjetë pikë dhe pesëmbëdhjetë kërcime, ndërsa te Bashkimi më efikasi ka qenë Kyan Anderson me njëzetë pikë.
Pas kësaj ndeshje, Sigal Prishtina ka gjashtë fitore dhe pesë humbje, ndërsa Bashkimi shtatë fitore e katër humbje.
Ndërkohë, në Rahovec, “Vreshtarët” kanë shënuae fitore të madhe ndaj GO+ Pejës me rezultat 83:71.
Pjesa e parë e ndeshjes ka qenë kryesisht e baraspeshuar, me Pejën që ka fitua ngushtë çerekun e parë 23:24, ndërsa Rahoveci është treguar pak më i mirë në të dytin për të shkuar në pushim me epërsi 44:41.
Diferenca vendimtare është krijuar në çerekun e tretë, kur vendasit kanë dominuar 26:14, ndërsa në dhjetë minutat e fundit e kanë menaxhuar epërsinë për të vulosur fitoren.
Fisnik Rugova dhe Kentrell Pullian janë dalluar për Rahovecin me nga njëzet e pesë pikë, me Rugovën që ka shtuar edhe njëmbëdhjetë kërcime, ndërsa te Peja më i miri ka qenë Dardan Berisha me njëzet e dy pikë.
Rahoveci 029 tani ka pesë fitore dhe gjashtë humbje, kurse GO+ Peja mbetet me shtatë fitore dhe katër humbje.



