Muslija shkëlqen edhe në arenën ndërkombëtare, portieri i talentuar i St.Gallenit ndër më të mirët në Evropë
Gentrit Muslija po kalon një sezon të jashtëzakonshëm në formë huazimi te FC Wil. Portieri 19-vjeçar, i cili me kontratë i përket FC St. Gallenit, është shndërruar në një nga zbulimet më të mëdha të edicionit aktual në kategorinë e dytë zvicerane, Challenge League dhe tashmë po tërheq vëmendje edhe përtej kufijve të Zvicrës.
Që nga sezoni 2024/25, Muslija ka marrë besimin e plotë të stafit teknik të FC Wil dhe është afirmuar si portier titullar i padiskutueshëm. Edhe pse skuadra nga Zvicra Lindore po kalon një sezon me luhatje dhe aktualisht renditet në vendin e shtatë në tabelë, paraqitjet individuale të Muslijës kanë qenë në nivel shumë të lartë.
Kontributi i tij nuk ka kaluar pa u vënë re as në arenën ndërkombëtare. Sipas një statistike të publikuar nga platforma e njohur “cies_football”, Muslija renditet në mesin e dhjetë portierëve më të mirë nën moshën 20-vjeç, të cilët nuk aktivizohen në pesë ligat më të forta evropiane. Një arritje e rëndësishme për një portier kaq të ri dhe dëshmi e potencialit të tij të madh.
Në aspektin statistikor, Muslija ka qenë i pranishëm në çdo ndeshje të FC Ëil këtë sezon, duke luajtur të gjitha minutat e mundshme. Ai ka arritur ta mbajë portën e paprekur në gjashtë takime, duke u shndërruar në një pikë kyçe të repartit mbrojtës të skuadrës.
Te FC Wil shprehen më se të kënaqur me zhvillimin e portierit të ri, ndërsa forma e tij e qëndrueshme forcon bindjen se Gentrit Muslija është një investim i rëndësishëm për të ardhmen. Me paraqitjet aktuale, 19-vjeçari jo vetëm që po fiton përvojë të çmuar, por edhe po ndërton gradualisht emrin e tij në skenën evropiane të futbollit.



