Haradinaj: Ky rezultat e zgjidh ngërçin institucional, por kam frikë se s’i zgjidh problemet e shqetësimet e qytetarëve

29 dhjetor 2025 | 12:33

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka dalë me një reagim pas rezultateve të zgjedhjeve të djeshme.

“Gjatë gjithë kësaj kohe të fushatës jemi përballur me shqetësime të shumta të qytetarëve që nga kolapsi energjetik, ngecjet në proceset integruese euro-atlantike, posaçërisht në NATO, rënia e investimeve kapitale në gjithë vendin e lënien përgjysmë të krejt projekteve të mëdha, shtrenjtimin enorm të jetesës e stagnimin e pagave e deri te largimi në masë i të rinjve nga Kosova”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.

Ai ka thënë se rezultati i këtyre zgjedhjeve e zgjidh ngërçin institucional, por jo edhe problemet e shqetësimet e qytetarëve.

“Rezultati i këtyre zgjedhjeve e zgjidh ngërçin institucional, por kam frikë se nuk i zgjidh problemet e shqetësimet e qytetarëve. Kosova do të dobësohet në planin e brendshëm e të jashtëm e do të fitojnë armiqtë e saj!”, ka shkruar Haradinaj, duke shtuar se do të ketë zgjedhje brenda partisë në të gjitha nivelet.

“Rezultati është ky që është dhe ne do ta respektojmë votën e qytetarit por dhe do të reflektojmë për proceset tona të brendshme. Për ne zgjedhjet do të përfundojnë këtë pranverë, me zgjedhjet brenda Aleancës në të gjitha nivelet dhe me ringritjen tonë”, ka shkruar Haradinaj.

Në fund, ai i ka falënderuar votuesit.

“Nga zemra i falënderoj të gjithë votuesit, aktivistët e AAK-së dhe gjithë të tjerët nga çdo cilësi e përkatësi e posaçërisht kolegët nga Lista 129 me të cilët kemi garuar në një betejë aspak të lehtë e në kohë të papërshtatshme. Krah Teje Kosovë, pa asnjë kusht!”, ka shkruar Haradinaj.

Sipas rezultateve të deritanishme, AAK-ja është radhitur partia e katërt, me 5.68 për qind.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Rainer Rudolph, ka uruar Kosovës…