Homazhe në Prekaz për Ditën e Veteranit, Gucati: Sot nuk ndihemi edhe aq të lirë
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, me rastin e shënimit të Ditës së Veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Kryetari i kësaj organizate, Hysni Gucati theksoi se në këtë ditë nuk ndihen aq të lirë, mbi arsyen se institucionet e Kosovës nuk e kanë miratuar ligjin për vlerat e luftës.
“Mu në këtë vend para 34 viteve, kanë qenë shkëndijat e para të lirisë dhe mund të them luftës së parë frontale të bacës Shaban me dy djemtë me Hamzën dhe Adem dhe rrethi i gjithë Jasharit u përballen me forcat çetnike parlamentare serbe që luftuan për ditën e sotit. Dhe ne sot si veteranë nuk e ndjejmë vetën aq të lirë për arsye se ende kemi problem me institucionet tona ku ligji për vlerat e luftë nuk është bërë ende”, tha Gucati, raporton EO.
Homazhe përkujtimore do të organizohen edhe në lokacione të tjera anembanë Kosovës, nga degët e OVLUÇK-së në secilin qytet.



