‘Kurti po e bllokon zbatimin e marrëveshjes së Ohrit’, Ditmir Bushati polemizon me Carl Bildtin e Suedisë

30 dhjetor 2025 | 11:39

Ish-kryeministri i Suedisë dhe njohësi i çështjeve në Ballkan, Carl Bildt, ka thënë se pas fitores në zgjedhjet e parakohshme, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, duhet të formojë një qeveri të rregullt, por e ka akuzuar atë për mospërparim në dialogun me Serbinë dhe moszbatimin e marrëveshjes.

“Me 49% të votave në zgjedhjet në Kosovë, kryeministri Kurti duhet të jetë në gjendje të formojë një qeveri të rregullt. Megjithatë, perspektivat për përparim në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi duken të zymta, pasi Kurti po bllokon zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit”, ka shkruar  Bildt në “X”.

Kësaj deklarate i reagoi ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, i cili ka thënë se Serbia është pengesa për moszbatimin e kësaj marrëveshje.

“Jo Carl Bildt, është një fakt i njohur publikisht që presidenti i Serbisë ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshjen/aneksin. Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi varet kryesisht nga pranimi i realitetit nga Serbia me fqinjët e saj, zgjedhja e rrugës evropiane dhe demokratike, në vend që të veprojë si pengues i stabilitetit rajonal”, ka shkruar Bushati.

Edhe Bildt ka shfaqur pajtim për pjesën e fajit të Serbisë, por ka thënë se edhe Kosova ka përgjegjësinë e saj për respektim.

“Kjo është sigurisht e vërtetë sa i përket mangësive të Serbisë, por edhe Kosova duhet të respektojë marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, ka shkruar Bildt.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në faqen zyrtare ka procesuar…