Sulmi i tifozëve të Realit, shpërthen Vinicius: Edhe unë jam njeri, nuk dua të më fishkëllejnë
I fishkëllyer nga tifozët e tij në “Bernabeu” dhe duke përfunduar në lot në tunel pas ndeshjes së La Ligës, Vinicius Junior është rikthyer mbrëmë me dy asiste dhe një gol kundër Monakos në fitoren 6-1 të Real Madridit në Ligën e Kampioneve.
Duke folur për “Movistar+”, ylli brazilian ka thënë: “Të luash në klubin më të madh në botë është shumë e komplikuar, kërkesat janë shumë të larta. Edhe unë jam njeri”.
Shpërthimi i tij është motivuar nga negativiteti i transmetuar nga tifozët e “Los Blancos”.
“Nuk dua të më fishkëllejnë në shtëpi, ku ndihem shumë rehat. Në ndeshjet e fundit nuk jam ndjerë rehat sepse çdo herë që bëja diçka gabim më fishkëllenin. E njoh potencialin tim, e di ku mund të arrij. Jam këtu për të vazhduar të rritem dhe gjithmonë të luftoj për këtë klub”, ka thënë ai.



