“Çlirimtarët” emërtohet Salla e Senatit e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj në 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës
Në një ceremoni solemne, me pjesëmarrje të stafit akademik, administrativ dhe studentëve, Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) shënoi 18-vjetorin e Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, një nga datat më të rëndësishme në historinë moderne të vendit tonë.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, Rektori i UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari, theksoi se 17 Shkurti përfaqëson jo vetëm një akt juridik të shpalljes së shtetit, por kulmin e një rruge të gjatë përpjekjesh, sakrificash dhe qëndrese ndër breza. Ai tha se pavarësia është rezultat i një trashëgimie historike që nis nga epoka e Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, vizioni shtetformues i Ismail Qemalit, qëndresa e Isa Boletinit, Azem Galices dhe Shaban Polluzhes, e deri te lufta e fundit çlirimtare e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e mishëruar në sakrificën e komandantit legjendar Adem Jashari dhe mijëra dëshmorëve të lirisë.
Rektori theksoi se Pavarësia e Kosovës mbetet një amanet historik dhe përgjegjësi e përhershme për ndërtimin e një shteti demokratik, të drejtë dhe të zhvilluar, duke nënvizuar rëndësinë e reflektimit institucional dhe qytetar për rrugëtimin e vendit. Ai falënderoi gjithashtu stafin e Universitetit për mbështetjen dhe nënshkrimin e iniciativës për “Rezolutën në mbrojtje të çlirimtarëve në Hagë”, të miratuar më 13 shkurt 2026, duke e vlerësuar këtë veprim si dëshmi të unitetit institucional, pjekurisë akademike dhe ndjeshmërisë qytetare ndaj çështjeve të kujtesës historike dhe dinjitetit kombëtar.
Në këtë kontekst, u shpreh respekt për udhëheqësit e luftës çlirimtare, presidentin Hashim Thaçi, kryetarin Kadri Veseli, kryetarin Jakup Krasniqi dhe deputetin Rexhep Selimi, si dhe për të gjithë bashkëluftëtarët që po përballen me procese gjyqësore. U theksua respektimi i plotë i parimit të prezumimit të pafajësisë, të drejtave themelore të njeriut dhe nevoja për një drejtësi të paanshme, profesionale dhe jo politike, të bazuar në fakte, prova dhe standarde ndërkombëtare.
Moment i veçantë i ceremonisë ishte shpallja e vendimit të Rektorit që Salla e Senatit të Universitetit të mbajë emrin “Çlirimtarët”. Ky emërtim u cilësua si një akt simbolik i kujtesës dhe mirënjohjes institucionale ndaj Ushtrise Çlirimtare te Kosovës, dëshmorëve që ranë për liri, veteranëve dhe familjeve që sakrifikuan për çlirimin e vendit.
Sipas Rektorit, universitetet nuk janë vetëm hapësira të transmetimit të njohurive, por edhe qendra të mendimit kritik dhe formimit qytetar. Ai tha se me emërtimin e sallës më të lartë vendimmarrëse “Çlirimtarët”, vendosen në themel të jetës akademike vlerat e lirisë, sakrificës dhe përgjegjësisë, duke riafirmuar përkushtimin për ndërtimin e një universiteti modern e konkurrues, në shërbim të zhvillimit të vendit.
Në prag të semestrit të dytë, Rektori uroi profesorët, stafin dhe studentët për suksese të reja, duke theksuar rëndësinë e cilësisë në mësimdhënie, seriozitetit në studim dhe bashkëpunimit institucional. Në fund, ai përcolli urime për Muajin e Ramazanit, duke dëshiruar paqe, harmoni dhe begati për të gjithë.






