Sir Geoffrey Nice viziton Memorialin Përkujtimor në Reçak, i shoqëruar nga Shukri Buja dhe Taulant Hodaj
Ish-kryeprokurori i Tribunalit të Hagës, Sir Geoffrey Nice, i njohur për ngritjen e aktakuzës kundër Slobodan Milosheviqit, ka vizituar Memorialin Përkujtimor në Reçak. Ai ishte i shoqëruar nga ish-komandanti i Zonës së Nerodimes, Shukri Buja, si dhe avokati kosovar Taulant Hodaj.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Buja përmes një postimi publik, ku ka theksuar rëndësinë historike dhe morale të kësaj vizite. Sipas tij, qëndrimi në Reçak u bë me ndjenjë të thellë respekti, përgjegjësie dhe përulësie para historisë, në një vend ku ndërgjegjja e botës u trondit nga krimi ndaj civilëve të pafajshëm.
Gjatë vizitës, ata u takuan me banorë dhe të mbijetuar të masakrës, duke vizituar kompleksin memorial, shtëpitë dhe vendet kyçe ku u morën jetë të pafajshme. Buja theksoi se, ndonëse aty u krye një krim i rëndë, nuk u shua kurrë dinjiteti, qëndresa dhe e vërteta. Ai vlerësoi lart praninë e Sir Geoffrey Nice në Reçak, duke e cilësuar atë simbol të drejtësisë ndërkombëtare dhe njeriun që me guxim, integritet dhe profesionalizëm udhëhoqi ndjekjen penale kundër regjimit të Millosheviqit.
Buja po ashtu shprehu mirënjohje për kontributin e Nice në mbrojtjen e së vërtetës dhe drejtësisë, përfshirë edhe mbështetjen e dhënë ndaj tij pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës. Ai u shpreh i nderuar nga kjo vizitë dhe i uroi ish-prokurorit jetë të gjatë, shëndet dhe forcë, duke theksuar se figura të tilla janë garanci që e vërteta nuk zbehet dhe drejtësia nuk përkulet.



