Guvernatori Ismaili merr pjesë në konferencë të nivelit të lartë mbi bankën qendrore dhe reziliencën
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z. Ahmet Ismaili, mori pjesë si panelist në konferencën ndërkombëtare “Central Banking Amid Persistent Global Shifts: Fostering Stability, Innovation, and Resilience”, të organizuar nga Banka Popullore e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Konferenca mblodhi guvernatorë të bankave qendrore, politikëbërës, përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare dhe akademisë, për të diskutuar përgjigjet e politikave ndaj pasigurisë së shtuar globale dhe transformimeve strukturore që ndikojnë në stabilitetin monetar dhe financiar.
Guvernatori Ismaili kontribuoi në panelin “Anchoring Stability in Times of High Uncertainty: Lessons for Macroeconomic Policies”, të moderuar nga z. Sebastian Sosa (FMN), së bashku me z. Trajko Slaveski, Guvernator i Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut; znj. Gordana Dimitrieska-Kochoska, Ministre e Financave e Republikës së Maqedonisë së Veriut; z. Boris Vujčić, Guvernator i Bankës Kombëtare Kroate; dhe znj. Era Dabla-Norris, Zëvendësdrejtoreshë në Departamentin e Çështjeve Fiskale të FMN-së.
Guvernatori Ismaili prezantoi qasjen e Kosovës për ruajtjen e stabilitetit në një ekonomi plotësisht të euroizuar, duke theksuar se ajo udhëhiqet nga një kombinim politikash me fokus në stabilitet, ku politika fiskale, masat makroprudenciale dhe rregullimi e mbikëqyrja e fortë veprojnë në mënyrë të koordinuar dhe me orientim afatgjatë.
Në lidhje me bashkërendimin midis politikave fiskale dhe monetare, Guvernatori Ismaili theksoi rëndësinë e masave fiskale të targetuara dhe të përkohshme, të mbështetura nga komunikim i qartë dhe i qëndrueshëm, për të ruajtur koherencën e politikave dhe për të shmangur efektet pro-ciklike.
Në përmbyllje, Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohje për organizatorët dhe rikonfirmoi përkushtimin e BQK-së për forcimin e mëtejmë të reziliencës së sistemit financiar, avancimin e kornizave mbikëqyrëse dhe të menaxhimit të krizave, si dhe mbështetjen e zhvillimit të qëndrueshëm në përputhje me objektivat e integrimit evropian të Kosovës.



