Aksion policor për arme në Prishtinë, Skenderaj dhe Gjakovë

01 prill 2026 | 11:16

Tri raste të ndara të armëmbajtjes pa leje janë zbuluar brenda pak orësh në Prishtinë, Skenderaj dhe Gjakovë, ku policia ka sekuestruar armë dhe municion, ndërsa disa persona janë shoqëruar për procedura të mëtejme.

Siç mëson Sinjali, ngjarja e parë ka ndodhur në Prishtinë, në rrugën “Enver Zymberi”, ku rreth orës 15:50 njësitë policore kanë ndaluar për kontroll një person. Gjatë kontrollit në çantën e tij janë gjetur 15 fishekë të kalibrit 9 mm.

I dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ndërsa me urdhër të Prokurorit është realizuar edhe bastisje në shtëpinë e tij në Hajvali. Gjatë kontrollit nuk është gjetur armë apo ndonjë mjet tjetër i paligjshëm. Rasti është iniciuar për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Një rast tjetër është zbuluar në Skenderaj, në rrugën “Shaban Manxholli”, ku policia, bazuar në informacione të siguruara gjatë hetimeve për një rast tjetër, ka kryer bastisje në shtëpinë e një të dyshuari.

Gjatë bastisjes janë gjetur dy fishekë, një i kalibrit 7.62 mm dhe një tjetër i kalibrit 8.6 mm. I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa me udhëzim të Prokurorit rasti është iniciuar për armëmbajtje pa leje dhe vazhdon në procedurë të rregullt.

Rasti më serioz është shënuar në fshatin Duzhnje të Gjakovës, ku gjatë patrullimit policia ka hasur në dy persona të armatosur. Gjatë kontrollit, njërit prej tyre i është gjetur një armë e gjatë e tipit AK-47 me një karikator dhe 30 fishekë të kalibrit 7.62×39 mm, ndërsa tjetrit një armë e shkurtë e tipit “Sig Sauer” me një karikator dhe 14 fishekë të kalibrit 9×19 mm.

Të dyshuarit janë arrestuar dhe armët janë sekuestruar. Pas intervistimit dhe në konsultim me Prokurorin kujdestar, rasti është iniciuar për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka…