Rikthehet gara në Superligë, në fundjavë luhen ndeshjet e xhiros së 27-të
Xhiroja e 27-të në elitën e futbollit të Kosovës do të ofrojë disa ndeshje mjaft interesante, ku çdo pikë ka peshë të madhe si për kreun e tabelës, ashtu edhe për mbijetesë. Kjo fundjavë pritet të sjellë emocione dhe surpriza, ku nesër (e shtunë) janë programuar tri ndeshje, ndërsa pasnesër (e diel) dy të tjera. Të gjitha këto ndeshje pritet të nisin në orën 15:00.
Të shtunën, në Podujevë, Llapi pret Ferizajn në një duel ku vendasit synojnë të shfrytëzojnë terrenin e tyre për të marrë tri pikë të rëndësishme, ndërsa mysafirët kërkojnë të befasojnë. Në Suharekë, Ballkani përballet me Dukagjinin, në një ndeshje ku favoritët kërkojnë vazhdimësinë, por mysafirët mbeten gjithmonë të rrezikshëm. Një tjetër përballje interesante gjatë të shtunës zhvillohet mes Prishtinës së Re dhe Gjilanit, ku të dy skuadrat synojnë pikë për objektivat e tyre sezonale.
Të dielën, vëmendja zhvendoset në Gjilan, ku lideri Drita përballet me Malishevën, në një sfidë që pritet të jetë e fortë, me vendasit që kërkojnë të mbajnë ritmin në garën për kreun e tabelës. Ndërkohë, në Skenderaj, Drenica pret Prishtinën, në një ndeshje tradicionale ku rivaliteti dhe tensioni janë gjithmonë të pranishëm.




