Gërvalla në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan: Marrëveshja me Danimarkën rrit përgjegjësinë për sistemin korrektues
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka zhvilluar një vizitë në Qendrën e Paraburgimit, ku është njohur nga afër me kushtet, funksionimin dhe sfidat me të cilat përballet ky institucion.
Me këtë rast, ministrja Gërvalla tha se sistemi korrektues mbetet një nga testet më të drejtpërdrejta të seriozitetit të shtetit ndaj drejtësisë dhe nuk lë hapësirë për standarde të dyfishta.
“Në këtë drejtim, edhe angazhimet ndërkombëtare që kemi marrë, përfshirë këtu Marrëveshjen Ndërkombëtare me Mbretërinë e Danimarkës, e rrisin përgjegjësinë tonë për të ndërtuar një sistem korrektues funksional, të besueshëm dhe në përputhje të plotë me standardet që kërkojmë vetë t’i përfaqësojmë”, ka thënë Gërvalla.
Gjatë vizitës, ministrja Gërvalla me stafin drejtues dhe atë korrektues kanë diskutuar për përgjegjësinë konkrete në garantimin e respektimit të të drejtave të personave të privuar nga liria, si dhe për nevojën që standardet të zbatohen në praktikë dhe “ jo vetëm të mbeten në letër, sepse si trajtohen të privuarit nga liria, tregon sa vlen realisht sundimi i ligjit”.
Në fund, Gërvalla ka thënë se angazhimi institucional në këtë fushë do të jetë i çdoditshëm dhe i pandërprerë, ndërsa sipas saj rritja e llogaridhënies dhe e përgjegjësisë institucionale mbetet detyrim dhe jo zgjedhje, që do të ndiqet me vendosmërinë më të madhe.




