Prioritetet tona strategjike: Avancimi i standardeve profesionale, forcimi institucional dhe integrimi ndërkombëtar i profesionit mjekësor
Pas një procesi zgjedhor të suksesshëm për Legjislaturën e IV-të të Kuvendit të Odës së Mjekëve të Kosovës (OMK), të mbajtur në institucionet shëndetësore, që u finalizua me mbledhjen konstituive të Kuvendit të saj, Oda e Mjekëve të Kosovës më 13 mars ka zgjedhur kryetarin e saj. Me përkrahjen e shumicës absolute të anëtarëve të ri të Kuvendit, dr. Pleurat Sejdiu, është rizgjedhur kryetar i Odës së Mjekëve të Kosovës, edhe për një mandat tjetër 4 vjeçar, duke filluar kështu mandatin e tij të tretë në krye të OMK-së. Me këtë rast, Revista Mjeku ka bërë një intervistë me kryetarin Sejdiu, lidhur me rezultatet e deritanishme të OMK-së, proceset aktuale, sfidat dhe planet për të ardhmen.
Revista Mjeku: Dr. Sejdiu, gjatë dy mandateve të mëparshme, cilat i konsideroni arritjet më të rëndësishme të Odës së Mjekëve dhe çfarë do të kishit dashur të realizohej më shumë?
Dr. Sejdiu: Gjatë këtyre mandateve, përkundër sfidave të shumta, Oda e Mjekëve të Kosovës ka arritur të konsolidohet si një institucion i pavarur dhe përfaqësues i denjë i mjekëve në vend. Arritjet e Odës gjatë afro një dekade nuk janë të pakta, por disa që do i veçoja janë: funksionalizimi dhe forcimi i rolit të Odës si autoritet profesional, avancimi i bashkëpunimit me institucionet relevante, përfaqësimi i denjë në organizata ndërkombëtare, si dhe investimi në resurset njerëzore në trajnime brenda dhe jashtë vendit. Gjithashtu, organizimi i rregullt i kongreseve vjetore të mjekësisë, trajnimeve profesionale brenda dhe jashtë vendit, si dhe krijimi i mundësive për zhvillim të vazhdueshëm profesional për mjekët. Këto kanë qenë ndër prioritetet tonë të cilat janë realizuar. Gjithashtu, digjitalizimi i shërbimeve të Odës, ku së shpejti do të bëhet edhe inkorporimi në platformën E-Kosova. Megjithatë mbetet ende hapësirë për të bërë më shumë, veçanërisht në fuqizimin më të madh të rolit të Odës në vendimmarrje.
Revista Mjeku: Ku qëndron sot OMK në aspektin institucional dhe profesional, cilat janë proceset kryesore që aktualisht janë në zhvillim?
Dr. Sejdiu: Oda e Mjekëve të Kosovës qëndron si institucion i konsoliduar, me bazë të qëndrueshme ligjore dhe organizative, duke u marrë si model i mirë edhe nga Shoqata Mjekësore Gjermane. Ndërsa, në aspektin profesional, Oda ka avancuar në ngritjen e standardeve të ushtrimit të profesionit, në promovimin e Edukimit të Vazhdueshëm Profesional dhe në mbrojtjen e etikës dhe integritetit të mjekut. Disa nga proceset kryesore që mund të etiketohen aktualisht janë: digjitalizimi i shërbimeve të Odës, fuqizimi i bashkëpunimit me institucionet shëndetësore dhe rritja e përfshirjes në hartimin e politikave shëndetësore.
Revista Mjeku: Cilat janë sfidat më të mëdha me të cilat përballen sot mjekët në Kosovë, si në aspektin profesional, ashtu edhe në atë socio-ekonomik, dhe sa ja ka dal Oda t’i adresojë ato, t’i përfaqësojë dhe mbrojë interesat e mjekëve?
Dr. Sejdiu: Sipas një studimi të realizuar nga Oda e Mjekëve të Kosovës, sfidat kryesore që përballen mjekët tanë lidhen me papunësinë, kushtet jo të mira të punës, si dhe kualiteti i specializimit. Oda ka qenë vazhdimisht e angazhuar në adresimin e këtyre çështjeve përmes përfaqësimit institucional, ngritjes së zërit për interesat e mjekëve dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm me institucionet përgjegjëse. Edhe pse janë bërë hapa të rëndësishëm, mbetet ende punë për të arritur standardet e dëshiruara.
Revista Mjeku: A e ka Oda e Mjekëve sot fuqinë dhe ndikimin e duhur për të ndikuar në politikat shëndetësore në Kosovë, apo ka nevojë për rifuqizim të rolit të saj?
Dr. Sejdiu: Një rol të rëndësishëm në sistemin shëndetësor, padyshim që e ka Oda e Mjekëve të Kosovës, dhe përmes bashkëpunimit me Ministrinë e Shëndetësisë dhe institucionet e tjera relevante, Oda kontribuon në mënyrë aktive në proceset e hartimit të politikave shëndetësore.
Revista Mjeku: Cilat janë prioritetet kryesore që synoni t’i realizoni në mandatin e ri dhe çfarë ndryshimesh konkrete mund të presin mjekët nga puna e Odës në këtë periudhë?
Dr. Sejdiu: Në mandatin 2026–2030, prioritetet strategjike të Odës së Mjekëve të Kosovës do të fokusohen në avancimin e standardeve profesionale, forcimin institucional dhe integrimin ndërkombëtar të profesionit mjekësor. Reforma profesionale dhe arsimore do të synojë modernizimin e programeve të specializimit dhe fuqizimin e edukimit të vazhdueshëm profesional, në përputhje të plotë me standardet evropiane. Digjitalizimi dhe efikasiteti institucional mbeten shtylla kyçe, përmes thjeshtimit të procedurave dhe rritjes së transparencës. Në këtë drejtim, do të realizohet lansimi i modulit të avancuar për edukim të vazhdueshëm profesional, ndërlidhja e platformës së OMK-së me sistemin shtetëror e-Kosova, si dhe digjitalizimi i plotë i proceseve të licencimit, ri-licencimit dhe menaxhimit të regjistrit profesional. Mbrojtja dhe mirëqenia e mjekëve do të forcohet përmes avancimit të kornizës ligjore, përmirësimit të kushteve të punës dhe funksionalizimit të sigurimit profesional të detyrueshëm (malpractice insurance), si një mekanizëm esencial për siguri profesionale.



