Vuçiq ia kthen shpinën BE-së, braktis samitet evropiane

06 maj 2026 | 08:27

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka vendosur t’i bojkotojë ngjarjet e Bashkimit Evropian dhe po largohet çdo herë e më shumë nga BE. Kështu ka vepruar edhe me samitin, duke mos marrë pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian në Jerevan.

Samiti i Komunitetit Politik Evropian, i mbajtur në Jerevan nën sloganin “Ndërtimi i së ardhmes: Unitet dhe stabilitet në Evropë”, mblodhi liderë nga 48 vende. Megjithatë, për herë të parë mungoi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuciq, ndërsa vendi u përfaqësua nga kryeministri Macut.

Sipas vlerësimeve të analistëve për N1, mungesa e presidentit shihet si një mesazh ndaj Bashkimit Evropian. Kjo nuk është hera e parë që Vuçiq nuk merr pjesë në ngjarje të rëndësishme evropiane, pasi më herët kishte munguar edhe në samitin BE–Ballkani Perëndimor në dhjetor, duke e justifikuar atë me “mbrojtjen e interesave të qytetarëve të Serbisë”.

Ekspertët theksojnë se kjo sjellje interpretohet si vazhdimësi e shmangies së forumeve kyçe të integrimit evropian. Sipas tyre, mungesa në Jerevan përbën një mundësi të humbur për Serbinë, sidomos në një moment kur retorika e institucioneve evropiane ndaj vendit është ashpërsuar dhe pritet zbatimi i rekomandimeve të Komisioni i Venecias pas miratimit të ligjeve të diskutueshme.

Megjithatë, Serbia ishte e përfaqësuar në samit nga kryeministri Macut dhe disa ministra, përfshirë Tatjana Macura dhe Marko Gjuriq. Pavarësisht kësaj, analistët vlerësojnë se mungesa e presidentit ishte e dukshme dhe ndikoi në perceptimin e rolit të Serbisë në këtë takim, duke e konsideruar përfaqësimin jo në nivelin më të lartë si më pak relevant për çështjet kyçe të marrëdhënieve me BE-në.

Dihet se Serbia nën udhëheqjen e Vuçiqit ka ndërtuar marrëdhënie të afërta me Rusinë dhe Kinën.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i OpenAI, Gregory Brockman, dëshmoi se Elon Musk dëshiron…