‘Gjithçka filloi në tetor’, ‘Marca’ vjen me detaje rreth krizës që po ndodh në Real Madrid
“Natyrshmëria e futbollit”, thoshin nga Valdebebas për të shpjeguar përplasjen e fortë mes Valverdes dhe Tchouamenit të mërkurën e kaluar.
“Një ndërhyrje e ashpër, frika nga një lëndim me Kupën e Botës afër, tensioni para El Clasico…”, theksonin ata, duke tentuar ta zbutnin një incident që, pavarësisht minimizimit, ishte mjaft serioz për t’u shqetësuar, por që u zbeh shpejt nga episodi i dytë i ndodhur të enjten, raporton mediumi i njohur spanjoll, “Marca”.
Bëhej fjalë për një tjetër përplasje mes Tchouaménit dhe Valverdes, e cila lidhet me një klimë të rënduar në dhomën e zhveshjes së Real Madrid, që sipas burimeve është më e përçarë se kurrë këtë sezon.
Skuadra filloi të ndahej kur disa lojtarë shprehën pakënaqësi ndaj Xabi Alonso. Ajo që fillimisht dukej si një mosmarrëveshje sportive u kthye në një përçarje të thellë brenda grupit, me “blloqe” të ndryshme brenda skuadrës dhe tension gjithnjë e më të madh.
Sipas burimeve të ndryshme, gjithçka filloi të përkeqësohej rreth tetorit, kur disa lojtarë kyç, përfshirë Vinicius dhe Valverde, filluan të mos e fshehin pakënaqësinë me metodat e punës së Xabi Alonsos. Kritikat kishin të bënin me stërvitjet shumë të ashpra taktike, analizat e shpeshta me video dhe një stil shumë strikt pune.
Nga ana tjetër, një pjesë e skuadrës, përfshirë edhe Tchouamenin, e mbështeste trajnerin dhe besonte se ekipi kishte nevojë për disiplinë më të madhe dhe ndryshim të thellë. Kjo ndarje solli tensione të vazhdueshme, mungesë respekti në disa raste gjatë seancave stërvitore dhe një klimë gjithnjë e më të rënduar brenda grupit.
Kulmi i krizës erdhi gjatë El Clasico, kur pakënaqësitë u shfaqën hapur dhe përçarja u bë e pakthyeshme. Më pas, në janar, Xabi Alonso u shkarkua dhe u zëvendësua nga Alvaro Arbeloa, por situata në dhomën e zhveshjes mbeti e tensionuar.
Edhe nën Arbeloan, problemet nuk u zhdukën plotësisht. Pas rezultateve të dobëta, tensionet u rikthyen dhe u regjistruan edhe përplasje të tjera mes lojtarëve gjatë stërvitjeve, përfshirë incidentin mes Valverdes dhe Tchouaménit që çoi në hapjen e procedurave disiplinore ndaj të dyve.
Në sfond mbetet edhe çështja Mbappé, që sipas raportimeve ka krijuar ndarje të reja brenda skuadrës dhe pakënaqësi mes disa lojtarëve.
Në përgjithësi, situata aktuale në Real Madrid përshkruhet si e brishtë dhe e ndarë, me një dhomë zhveshjeje të përçarë dhe me nevojë urgjente për stabilitet, ndërsa klubi po përgatitet të marrë vendime të rëndësishme për të ardhmen e projektit.



