Real Madridi kërkon lider të ri në mbrojtje pas largimeve të mundshme
Real Madrid është në kërkim të një mbrojtësi qendre të ri, pasi kjo pozitë konsiderohet një nga prioritetet kryesore për afatin kalimtar veror. Largimi i pritshëm i David Alaba, së bashku me mundësinë që edhe Antonio Rudiger të largohet, e kanë bërë të domosdoshëm përforcimin në këtë repart, ndërsa departamenti sportiv i klubit tashmë po shqyrton disa objektiva.
Real Madridi tashmë ka humbur mundësinë për transferimin e lojtarëve si Marc Guehi (iu bashkua Manchester City), Dayot Upamecano (rinovoi kontratën me Bayern Munich) dhe Nico Schlotterbeck (rinovoi me Borussia Dortmund). Kjo ka bërë që madrilenët të fokusohen te objektiva të tjerë – dhe një prej tyre është një lojtar që ka kohë në radarët e klubit.
Josko Gvardiol është një futbollist që Real Madridi e ndjek prej tre vitesh dhe viti 2026 mund të jetë momenti i duhur për të vepruar. Sipas raportimeve të TEAMtalk, drejtuesit madrilenë kanë zhvilluar bisedime me agjentin e mbrojtësit të Manchester Cityt, i cili mund të jetë i disponueshëm këtë verë pasi kontrata e tij skadon pas dy vitesh.
Përveç Real Madridit, kontakt me përfaqësuesit e Gvardiolit ka pasur edhe Bayern Munich, me të dy klubet që synojnë të përfitojnë nga situata kontraktuale e kroatit në Manchester. Megjithatë, City raportohet se po përgatit një kontratë të re për reprezentuesin kroat, me qëllim që të largojë interesimin e klubeve të tjera.
Sa i përket opsioneve për mbrojtjen, Gvardiol konsiderohet një zgjedhje shumë e mirë për Real Madridin. Ai përshtatet me politikën e transferimeve të klubit dhe, nëse refuzon rinovimin me Manchester Cityn, atëherë transferimi i tij në “Santiago Bernabeu” do të bëhej një mundësi reale.
Për momentin, mbetet të shihet se kush do të jetë objektivi final i Real Madridit për qendrën e mbrojtjes, por është e qartë se drejtuesit e klubit duhet të marrin vendimin e duhur.



