Albin Kurthi kur të dojë i prekë 60%!

13 maj 2026 | 14:35

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Kur morali dhe jomorali bëhen një: LDK-ja, e shtrirë për toke në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 e mbajti një kuvend oportunist, jo për të analizuar shkaqet dhe pasojat e këtij debakli pas së cilave do të adresohej përgjegjësia konkrete te vendimmarrësit përkatësisht te kryetari i kësaj partie. Kuvendi u organizua për të blerë kohë për kryetarin dhe llaskucët e tij, për të mbijetuar po kjo kategori që shumë pak ose aspak kanë kontribuar për LDK-në. Nuk është se LDK-ja nuk ka kapacitet dhe personalitete që e përfaqësojnë denjësisht trashëgimin kombëtare,  politike, morale dhe profesionale por se oportunizmi doli “mbi përshesh”…  Kujtim Shala, Hikmete Bajrami, Avdullah Hoti, Arben Gashi, Janina Imeri dhe Ermal Sadiku për bindjen time janë lokomotiva që mund ta nxjerr LDK-në nga moçali i oportunizmit dhe përshtatjes çdo “lideri” apo garniture. Agim Veliu u përjashtua pa asnjë arsye sikur që fituesi i dy mandateve për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, në Llap e njohim si “djali i Kadrushit” është në një senduiç jonormal; midis LDK-së dhe qeverisë autokrate të Albin Kurthit – Neronit të Kosovës. Përparim Rama u tregua i ndershëm me partitë që i ndihmuan të fitojë zgjedhjet, në veçanti me PDK-në me të cilët po bashkëqeveris dhe sidomos me vlerat e luftës dhe pengjet e Burgut të Hagës. Ndonëse pa një background partiak, Përparim Rama u shndërrua në një personalitet karizmatik e që paraqet rrezik serioz për sigurinë politike dhe qëndrueshmërinë e postit për Lumin e Xhikës, mbijetuesin kryesor të Kuvendit të fundit të LDK-së. Në këto rrethana kur “zori të çon edhe në derë të hasmit ..” LDK-ja e kërkon shpëtimin pikërisht te shkatërruesja e kësaj partie, Vojsa Osmani, e përzënë nga padroni i saj Albin Kurthi nga Zyra e Presidencës, e cila nuk la gjë pa bërë për të siguruar edhe një mandat! 100 për qind e nënshtruar ndaj diktatorit Kurthi, tash 100 për qind kundër diktatorit Kurthi. Ku është këtu morali, ma thoni lexues të nderuar?! Vojsa Osmani po vëzhgonte me kujdes zhvillimet në LDK duke ditur se po e konsiderojnë si “rrip sigurie” për të shpëtuar shoferin – politikanin amator, Lumin e Xhikës. Vojsa Osmani pa ndjenjën më të vogël të keqardhjes për dëmin që i ka shkaktuar LDK-së dhe Kosovës, triumfalisht u kthye në LDK, me fustanin e martesës politike me LV-në ndërkaq shoqëruesi i parë ishte pikërisht Lumi i Xhikës. I ndërruan rolet, Vojsa u bë njëshi, Lumi i Xhikës, nga njëshi u bë dyshi. Ky ishte edhe qëllimi që këta të dy të jenë përfituesit kryesor ndërsa diçka mbetet edhe për ata që ua mbajnë zhagun. Realisht, LDK-ja mund dhe do të rritet, mendoj te 20 për qind por se kjo qëndrueshmëri nuk do të jetë reale por artificiale. Ta shohim si do të lëvizin gjërat më vonë… Si do ta zhvillojnë fushatën. Duhet thënë qartazi se slogani: “Lumi i Xhikës i propozuar për KM dhe Vojsa Osmani për presidente” është mashtrim për faktin se zgjedhjet nuk mbahen për president, Kosova nuk ka sistem presidencial.

PDK-ja ka bërë mrekulli që nuk ka rënë shumë me vota përkundër goditjeve nga brenda dhe jashtë. Regjimi autokratik i Albin Kurthit, si “mik i Gjykatës Speciale Raciste në Hagë” ka bërë të mundurën dhe të pamundurën ta shkatërrojë këtë parti që, bashkë me AAK-në, një pjesë të LDK-së, individëve që tani janë në këtë parti (LV-së) kanë qenë palca e shtyllës kurrizore të UÇK-së dhe luftës çlirimtare. Nga brenda PDK-ja po goditet nga mujsharë analfabetë dhe injorantë që janë veshur me pushtet të pamerituar e që në mungesë të liderëve të vërtetë, Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit po veshin lëkurat që as që iu takojnë e as që i meritojnë shkaku se i kanë ndërruar, jo sipas motit meteorologjik por sipas interesit puro politik. PDK-ja duhet të shkëputet nga disa “personalitete” nëse do ta “kalojë Rubikonin”. PDK-ja aspak nuk dobësohet që nuk e futi në listë Fatmir Limajn, përkundrazi do të dobësohej po ta fuste në listë! Nuk di kush është në listën për deputetë të PDK-së por për mua është befasi e madhe futja e Rrustem Mustafës – komandant Remit për faktin se kam qenë i sigurt se Remi do të jetë në 5-shin e parë të listës së LV-së gjykuar në qëndrimet politike dhe deklaratat në 4 vitet e fundit – më militant i LV-së deklarohej Remi se Mefail Bajçinovci! PDK-ja është dashur t’i largojë nga lista të gjithë ata që në vend të kutive të votimit kanë përdorur thasë për mbledhje – vjedhje të votave. PDK-ja dhe LDK-ja kanë potencialin më cilësorë të përfaqësimit politik nëse e bëjnë zgjedhjen e duhur. Deri më tani nuk shoh asnjë arsye që PDK-ja të humbë vota, sepse ka një trup votues të qëndrueshëm.

Jam i sigurt se AAK-ja e kalon pragun pa problem dhe se nuk mbetet nën 8 deputetë.

Kalimi i pragut për PSD-në është vetëm: “një ëndërr e bukur e një dite vere ..” Si të ikën ëndrra do të shohim një PSD me hundë të thyer që mori në thua në pragun zgjedhor. Është interesant se PSD-ja në këto zgjedhje nuk po hynë ta luftojë pozitën por opozitën! Vërtet rast sui generis!

LV-ja do të bjerë në përqindje, sa vështirë të përcaktohet. Pas zgjedhjeve nuk do të jetë në gjendje ta formojë qeverinë pa bërë koalicion pa ndonjë parti tjetër e lëre më që Feriden dhe Hatixhen me shami të kuqe t’i bëjë presidentë!

Opozita nuk duhet ta shajnë Albin Kurthin sepse është pajtuar me fytyrën. Morali politik dhe ndershmëria te Albini janë “persona non grata”. Opozita duhet t’ia faturojë Albin Kurthit dështimet ekonomike, mjerimin social, institucionalizimin e korrupsionit duke e shndërruar në aset që mbrohet nga shteti, kapjen dhe prostituimin e të gjitha posteve qeveritare dhe joqeveritare, dhunimin e luftës dhe vlerave të luftës, federalizimin e Kosovës përmes Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, instalimit dhe funksionalizimit të udbashëve në institucione, greqizimit të AKI-së dhe një pjese të Policisë përmes shartimit të dejonamihalizmit në këto dhe jo vetëm këto struktura. Albin Kurthi duhet të ballafaqohet me faktin se me çfarë morali i viziton dhe flet me “pasion patriotik” për familjet emblematike Jashari dhe Haradinaj ndërsa i ka afër, bashkëjeton, bashkëvepron, bashkëqeverisë dhe bashkëshkatërron me projugosllavët dhe antikombëtarët Surroi, Basha, Murati, Gashi, Gjinovci, Gjymshiti si dhe injorantët dhe llaskucët, Halilaj, Shala, Maxharraj, Ramabaja, pozharët, agimbahtirët, lenkaqukot, arbresha me krye të zi, adrianamatoshkat dhe të tjera, nga A deri më Zh.

Opozita duhet ta përballë Kurthin me shkatërrimin e pozitës dhe identitetit shqiptar në Maqedoni të Veriut, Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës. Këto koordinata të veprimit opozitar janë në vija të trasha, konkretizimi i tyre i përimtësuar do t’i siguronte opozitës së bashkuar një fitore të sigurt kurse Kurthit fitoren e Pirrosë – të trashtë e Surlës.

Opozita duhet ta ketë të qartë se pas këtyre zgjedhjeve nuk do të ketë zgjedhje tjera të shpejta dhe se mbi këtë fakt ta ndërtojë strategjinë e veprimit.

Sqarim se si Kurthi mund t’i prekë 60 për qind të votave: Një politikan që në 51.1% të votave të fituara e çon vendin në zgjedhje të parakohshme nuk mund të konsiderohet si një fenomen politik, më shumë është rast për studim dhe trajtim klinik. Tash, po ky rast botërisht po deklaron se në zgjedhjet e ardhshme mund ta prekë rezultatin prej 60 për qind. Plotësisht i besoj, shumë lehtë e realizon. Mjafton ta merr një copë letre apo pëlhure në të cilën do ta shkruante 60% dhe ta vendosë në zyrën e KM, në zyrën e Dejona Mihalit në Greqi, në zyrën e partisë – shtet LV-së dhe në shtëpinë ku banon dhe pastaj, kur të dojë ta prekë atë shifër me duar! Kështu mund ta prekë 60 përqindëshin dhe ky do të jetë ngushëllim për të…..kur të bie nga fiku!

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Degës së PDK-së në Zvicër, Adhurim Krasniqi, ka…