Pesë persona ndalohen për cenim të vullnetit të lirë të votuesve në Graçanicë
Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion të Policisë së Kosovës, njofton opinionin publik se duke vepruar sipas detyrës zyrtare dhe pas raportimeve në media lidhur me deklarimet e ministrit, Nenad Rashiq për kërcënimin e votuesve në komunën e Graçanicës, janë ndërmarrë menjëherë veprimet e nevojshme hetimore.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar pesë (5) persona, shtetas të Republikës së Kosovës, të nacionalitetit serb, pasi që të njëjtit dyshohen për kryerjen e veprës penale ‘’Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve’’, nga neni 210 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Lidhur me këtë rast, janë siguruar deklarata dhe prova të mjaftueshme, mbi bazën e të cilave dyshohet se personat e ndaluar janë përfshirë në veprime të kundërligjshme që ndërlidhen me veprën e lartcekur.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, në kuadër të kompetencave të saj ligjore, mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor, garantimin e ushtrimit të lirë të së drejtës së votës dhe respektimin e rendit kushtetues ligjor në Republikën e Kosovës.



