Policia e Kosovës nderon 26 pjesëtarët e rënë në krye të detyrës

23 tetor 2026 | 14:05

Në organizim të Sindikatës së Policisë së Kosovës, në palestrën sportive “Shani Nushi” në Gjakovë, janë nderuar 26 pjesëtarët e Policisë së Kosovës të rënë në krye të detyrës, në kuadër të një aktiviteti përkujtimor sportiv.

Krahas zyrtarëve të lartë policorë, në këtë aktivitet ka marrë pjesë edhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Enver Dugolli. Gjatë fjalës së tij, ai ka shprehur mirënjohjen e thellë për punën dhe sakrificën e policëve të rënë, si dhe për familjarët e tyre. “Sakrifica e tyre na përkujton se shërbimi në Policinë e Kosovës nuk është thjesht vetëm një profesion, por është një mision në shërbim të ligjit, të rendit, të sigurisë publike dhe të jetës së qytetarëve. Prandaj, lojërat tradicionale të Policisë së Kosovës janë një shprehje respekti, mirënjohjeje dhe kulture institucionale për ata që dhanë jetën në shërbim të vendit dhe qytetarëve të Republikës sonë”, ka thënë Dugolli.

Në emër të Sindikatës së Policisë së Kosovës, pjesëtarëve të policisë dhe garuesve u është drejtuar kryetari i sindikatës, Avdi Hoti. “Të dashur kolegë, uniforma që mbani sot nuk është vetëm uniformë, ajo përfaqëson përgjegjësi, sakrificë, guxim dhe besim. Prandaj, ta mbani me krenari dhe dinjitet, sepse para nesh e mbajtën ata që sot nuk janë në jetë dhe dhanë jetën për Kosovën. Çdo garë dhe çdo duartrokitje sot duhet të jetë një shenjë respekti për kolegët tanë që sakrifikuan jetën e tyre për Kosovën”, ka thënë Hoti.

Ndërsa nënkoloneli Arbresh Ajvazi, drejtor i Departamentit të Rendit Publik, ka theksuar se organizime të tilla dëshmojnë rëndësinë e kujtesës institucionale dhe solidaritetit. “Organizime të tilla dëshmojnë se kujtesa institucionale, solidariteti dhe respekti për ata që e dhanë jetën në shërbim të vendit dhe qytetarëve janë vlera që duhet t’i ruajmë dhe t’i përcjellim brez pas brezi”, ka thënë Ajvazi.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë se 26 pjesëtarët e rënë do të mbeten gjithmonë në kujtesën e institucionit.

“Nderimi dhe përkujtimi i shëmbëlltyrës së 26 heronjve të Kosovës, të cilët nuk e kursyen jetën e tyre në mbrojtje të vendit dhe qytetarëve të saj, do të jenë çdo herë në zemrat dhe mendjet tona”, ka thënë Kelani.

Në fillim të garës tradicionale përkujtimore, topin në mesfushë e ka prekur djali i heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku. Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës, në kuadër të këtij aktiviteti tradicional, përveç garave të futbollit, Sindikata e Policisë së Kosovës ka organizuar gara edhe në volejboll, shah dhe qitje me armë. Kupa e këtyre garave i kushtohet heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kosova ka shënuar deficit tregtar prej 534 milionë eurosh në…