Opozita kundërshton Projektligjin për Byronë, LV-ja mbron procesin e shqyrtimit

23 tetor 2026 | 15:07

Deputetët opozitarë në Komisionin për Legjislacion kanë shprehur kundërshtime ndaj Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duke ngritur shqetësime për përmbajtjen e tij dhe mënyrën e zbatimit.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica-Xhelili, ka thënë se nuk sheh arsye për nguti në shqyrtimin e një ligji kaq të rëndësishëm. Ndërsa deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka vlerësuar se disa nga dispozitat mund të çojnë në atë që ai e ka cilësuar si “persekutim”, e jo hetim.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje (LV) kanë mbrojtur procesin e shqyrtimit të projektligjit, duke thënë se janë respektuar afatet dhe se komentet e pranuara janë trajtuar gjatë përgatitjes së tij.

Kica-Xhelili ka kërkuar që deputetët t’i kenë parasysh çështjet që, sipas saj, ende nuk janë zgjidhur para se të vendosin për projektligjin.

“Dua që ta keni parasysh që nëse sot vendosni ta votoni ose jo këtë projektligj, t’i keni parasysh këto çështje. Çështja e parë është çështja e drejtorit, përzgjedhjes së drejtorit të byrosë, dhe nuk ka ndryshuar mënyra e votimit të drejtorit. Drejtori vazhdon të zgjedhet me shumicën e thjeshtë të deputetëve që vetëm marrin pjesë në votim. Kjo nënkupton që me 61 deputetë prezent, do të mjaftojnë 31 vota që të zgjedhet drejtori i byrosë. Çështja e dytë është që, pavarësisht që kërkohet specializimi i gjyqtarëve të shkallës së parë, shkalla e dytë, pra e Apelit që duhet të vërtetojë bazueshmërinë ose jo të kërkesës së shkallës së parë, nuk kërkohet specializimi edhe i atyre. Pra, shkalla e dytë, e cila duhet ta rrëzojë ose jo vendimin e shkallës së parë, për të njëjtën nuk kërkohet specializimi për çështjen e byrosë, sikurse kërkohet për gjyqtarët e shkallës së parë. Çështja tjetër është që ne insistuam që përvoja e punës së personave që do të zgjedhen anëtarë të byrosë të jetë së paku 7 vjet punë profesionale. Ministria tha që do ta shqyrtonte dhe të mërkurën u dakorduam që do të ishte 7, por sot në anën tjetër na u tha që mendojmë ta rikthejmë në 5 vjet. Unë sot nuk i kam përfaqësuesit e ministrisë, por do të ishte skandaloze që të konsiderohej që është shumë përvojë pune profesionale 5 vite për anëtarë të byrosë”, ka thënë ajo.

Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Vigan Qorrolli, ka deklaruar se shqyrtimi i projektligjit është zhvilluar në përputhje me afatet dhe se vërejtjet e paraqitura nga deputetët, Gjykata Supreme dhe shoqëria civile janë trajtuar gjatë punës së grupit punues. “E para, punës është që ky kusht i domosdoshëm është afati mes dy leximeve që është i përmbushur dhe është 15-ditëshi për të cilin e ka kaluar, dhe ne kemi ftuar vijimësisht dhe me një lloj kolegialiteti. Planifikimi ka qenë për ditën e mërkurë që të kryhet i gjithë drafti, dhe në këtë rast edhe grupi punues ta përfundojë punën në ditën e parë. Nuk kemi arritur deri në përfundim të orarit të punës, dhe e kemi planifikuar që sot ta vazhdojmë pjesën e mbetur. Kemi kryer edhe pjesën e parë të paradites, dhe besoj që vërejtjet cilat janë dhënë janë të gjitha të adresuara. Një pjesë e tyre, qoftë nga propozuesi në këtë rast i amandamenteve, deputeti i Partisë Demokratike, por edhe përfaqësuesit e Gjykatës Supreme, në këtë rast edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, janë trajtuar një për një dhe presje për presje. Dhe ky është serioziteti më i madh i mundshëm që janë trajtuar. Nuk janë neglizhuar asnjë koment, nuk janë neglizhuar asnjë vërejtje, asnjë sugjerim, dhe asnjë amandament”, ka thënë Qorrolli.

Ai ka folur edhe për raportin mes konfiskimit civil dhe atij penal, duke iu referuar qëndrimeve të Komisionit të Venecias. “Ne përfillshëm dhe me kujdes të jashtëzakonshëm i kemi shkuar nen për nen ligjit, në kuptimin ku aty nuk ka pasur, sepse ligji i përmban gjithsej nenet dhe ne jemi marrë me pjesën kryesore ose materiale të çështjes. Dhe siç kemi treguar konsensualisht, ne e kemi pranuar edhe amandament të paraqitur edhe nga shoqëria civile, sepse ka qenë ndërhyrja e drejtë dhe ligji i plotëson të gjitha standardet. Në anën tjetër, sa i takon raportit mes konfiskimit civil dhe atij penal, më lejoni ta sqaroj që këtë në opinionin e Venecias, vetë komisioni. E ka trajtuar këtë çështje që nuk mund të ndërlidhen raporti mes konfiskimit civil dhe penal. Të dhënat të cilat përdoren gjatë procedurës së në byro, të cilat delegohen në Gjykatën kompetente për t’u trajtuar në konfiskim civil, ato të dhëna mund të ringriten ose të ripërdoren në raste kur gjykata ose prokurori, sipas detyrës zyrtare, mund të ngritë hetime. Këtë Venecia e ka thënë qartësisht. Të dhënat të cilat përdoren në konfiskim civil nuk mund të përdoren në procedurë penale. Dhe më shumë se sa kaq, madje, madje nëse zonja Kica është shumë më e drejtpërdrejtë se ç’ishte, kjo tha që është në rregull me një pjesë të deklarimit të saj”, ka thënë Qorrolli.

Ndërsa deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka shprehur shqetësimin se verifikimi i pasurisë mund të vazhdojë edhe pasi një zyrtar të mos e ushtrojë më funksionin publik, duke e cilësuar këtë si rrezik për ndërhyrje në jetën private.

Në anën tjetër, deputeti i LV-së, Adnan Rrustemi, ka mbrojtur projektligjin, duke thënë se ai është shqyrtuar në shumë nivele dhe se versioni aktual nuk ka ndryshime thelbësore nga ai që është votuar më herët.

Edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka kritikuar mënyrën se si po përshpejtohet shqyrtimi i projektligjit. “Mënyra se si ju e keni trajtuar byronë, e cila në fakt nuk konfiskon pasuri, gjykata e konfiskon pasurinë. Keq është nisur kryetar, orma se si byroja për konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme po trajtohet me këtë emergjencë”, ka thënë Deliu.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
“Big Brother VIP Kosova”- 5 po bëhet gati të rikthehet…