Kurtishi: Shërbimet onkologjike kryhen në QKUK, një herë në muaj në Prizren

24 maj 2026 | 08:14

Gjatë vitit 2026 është vërejtur numër i ngjashëm i pacientëve dhe rasteve të reja me sëmundje malinje krahasuar me vitet paraprake.

Kështu ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online drejtori i Klinikës së Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Ilir Kurtishi.

Ai vlerëson se ky është një lajm i mirë për Kosovën, pasi tregon një trend stabil të këtyre sëmundjeve, sidomos gjatë katër muajve të parë të këtij viti.

“Këtë vit kemi një numër të njëjtë të pacientëve ose rasteve të reja krahasuar me vitet paraprake, sidomos me vitin 2025 dhe 2024, dhe kjo është një gjë shumë e mirë për Kosovën, meqenëse trendi i këtyre sëmundjeve është në njëfarë forme stabil. Shpresojmë që edhe pjesa tjetër e vitit të ketë sa më pak raste, por pas katër muajve të parë po shihet se situata është e ngjashme me vitet paraprake. Shpresojmë që të ruhet ky trend dhe, normalisht, me dominim të sëmundjeve të gjirit te femrat dhe mushkërive te meshkujt, të cilat janë sëmundjet malinje më të shpeshta te të rriturit dhe kërkojnë trajtime onkologjike tek ne”, tha Kurtishi për EO.

Ai thotë se sfidat për trajtimin e sëmundjeve malinje ekzistojnë në të gjithë botën, pasi sipas tij këto sëmundje kërkojnë angazhim maksimal dhe trajtime specifike për t’u vënë nën kontroll dhe për të përmirësuar jetëgjatësinë e pacientëve.

“Sfidat për trajtimin e sëmundjeve malinje ekzistojnë në të gjithë botën, sepse sëmundja është e tillë që kërkon angazhim maksimal dhe trajtim specifik, në mënyrë që të vihet nën kontroll dhe pacienti të ketë përfitim në jetëgjatësi. Megjithatë, nga dita në ditë, shërbimet onkologjike edhe tek ne do të avancojnë dhe trajtimi do të bëhet edhe më i sofistikuar dhe më i veçantë për këto sëmundje”, tha Kurtishi.

Kurtishi deklaroi se trajtimi i pacientëve me kancer në sektorin publik realizohet kryesisht në Klinikën e Onkologjisë në Prishtinë, ndërsa një herë në muaj këto shërbime ofrohen edhe në Prizren.

“Trajtimi i sëmundjeve malinje, si në institucionin e vetëm publik, bëhet në Klinikën e Onkologjisë në Prishtinë. Një herë në muaj, shërbimet onkologjike ofrohen edhe në Prizren, ku më shumë se 100 pacientë, sidomos ata që vuajnë nga kanceri i gjirit dhe prostatës dhe që marrin forma tabletare ose intravenoze të mjekimit onkologjik, vizitohen nga mjeku onkolog dhe marrin shërbimin në Prizren. Kjo u shërben jo vetëm qytetarëve të komunës së Prizrenit, por edhe atyre nga Suhareka, Dragashi dhe komunat përreth. Me kalimin e kohës, shpresoj që edhe mjekët specializantë që janë në trajnim në klinikën tonë, pas përfundimit të specializimit, të shërbejnë në spitalin e Prizrenit, me pëlqimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe ShSKUK-së, sipas politikave të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë”, tha ai.

Aktualisht, në Kosovë janë vetëm 12 mjekë onkologë dhe pesë radioterapeutë.

Megjithatë, Kurtishi thotë se, pavarësisht këtyre kapaciteteve të kufizuara, Klinika e Onkologjisë arrin të ofrojë rreth 99.9% të shërbimeve onkologjike në sektorin publik, duke u konsideruar si një nga institucionet më funksionale publike në vend.

“Meqenëse kapacitetet janë vetëm 12 mjekë onkologë në gjithë Kosovën dhe pesë radioterapeutë, ky është një numër mjekësh që kryen trajtimet e nevojshme në Klinikën e Onkologjisë. Sipas disa rekomandimeve që ekzistojnë në Evropë dhe në vendet e rajonit, nëse largësia e pacientit nga qendra onkologjike nuk kalon 200 kilometra, atëherë qendrat me kapacitete të zgjeruara mund të ofrojnë shërbimet e duhura. Unë gjithmonë them se Klinika e Onkologjisë është e vetmja klinikë që kryen trajtimin e pacientëve me kancer në institucionin publik dhe 99.9% e shërbimeve onkologjike merren në sektorin publik. Në krahasim me shërbimet e tjera, ku një përqindje e caktuar ofrohen në institucione private, kjo është e vetmja klinikë që mund të konsiderohet kampione në ofrimin e shërbimeve publike në Republikën e Kosovës, njëjtë si Qendra e Transfuzionit të Gjakut, e cila siguron gjakun për institucionet publike. Me gjithë kapacitetet infrastrukturore dhe njerëzore, klinika i përmbush kushtet e domosdoshme për trajtimin korrekt të sëmundjeve malinje”, tha ai.

Kurtishi deklaroi se, nëse krahasohet situata aktuale me atë të 10 apo 15 viteve më parë, dallimi është shumë i madh sa i përket trajtimit të sëmundjeve malinje.

“Kur krahasojmë se ku ka qenë Klinika e Onkologjisë para 10 apo 15 vitesh dhe ku jemi sot, dallimi është i madh dhe shumë domethënës në ofrimin e trajtimit korrekt për sëmundjet malinje”, përfundoi Kurtishi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Raporti nuk vlerëson një moment të vetëm, por kënaqësinë e…