Komunat po ballafaqohen me ndërhyrje të kompetencave në aspektin juridik e financiar

28 maj 2026 | 14:26

Kolegjiumi i Zyrtarëve Ligjor të Asociacionit të Komunave të Kosovës, në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Kosovë, mbajti takimin e rregullt të radhës, në të cilin u diskutuan çështje me rëndësi që ndërlidhen me aktet juridike dhe efektet e tyre në nivelin lokal.

Gjatë takimit, pjesëmarrësit trajtuan shqetësimet lidhur me aktet juridike të miratuara nga niveli qendror, të cilat po sjellin pasoja të drejtpërdrejta për komunat, si në aspektin juridik ashtu edhe në atë financiar.

Në aspektin juridik, u theksua se disa nga këto akte po ndërhyjnë në kompetencat kushtetuese dhe ligjore të komunave, duke kufizuar autonominë lokale dhe duke krijuar vështirësi në zbatimin e përgjegjësive komunale.

Po ashtu, në aspektin financiar, u diskutua se komunat po përballen me obligime dhe pasoja financiare që burojnë nga vendime apo kontrata për të cilat ato nuk kanë qenë palë në procesin e vendimmarrjes apo nënshkrimit.

Kjo situatë po ndikon negativisht në planifikimin buxhetor dhe funksionimin e rregullt të komunave.

Pjesëmarrësit vlerësuan nevojën për koordinim më të madh institucional dhe përfshirje të komunave në proceset e hartimit dhe miratimit të akteve juridike që prekin drejtpërdrejt nivelin lokal.

Në përfundim të takimit, u dakordua që shqetësimet dhe rekomandimet e ngritura të adresohen tek institucionet përkatëse me qëllim të mbrojtjes së kompetencave komunale dhe garantimit të qëndrueshmërisë financiare të komunave.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, e shoqëruar nga zëvendësauditori i…