Haradinaj: Me termocentralin e ri, çmimi i rrymës do të ishte 3 deri në 4 herë më i lirë
Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, ka deklaruar se nëpërmjet termocentralit të ri, Kosova ka pasur mundësi të paguante vetëm 80 euro megavatin për 25 vitet e ardhshme.
Ai iu tha qytetarëve të Istogut të dielën se kjo ishte pjesë e një kontrate e cila u arrit përgjatë qeverisjes së tij, por që nuk e vazhdoi pasardhësi, Albin Kurti.
“Çmimi i megavatit, 80 euro për 25 vjet mos me u rritë çmimi. Ne i kemi pasur dy kushte, me e ble rrymën me ia siguru tregun, e tepricën me e shitë. Kishim fituar para t’u e shitë rrymën, e jo t’u e ble te armiqtë. Çmimi do të ishte 3 deri në 4 herë më i lirë, i asaj që e paguajmë sot”, ka deklaruar Haradinaj.
Sipas ish-kryeministrit, Kosova gjendet në krizë energjetike për shkak se nuk është reaguar me kohë, derisa shtoi sot blihet megavati për rreth 1.000 euro.
Haradinaj e përmendi edhe Presidentin historik, Dr.Ibrahim Rugovën që vjen nga Istogu, duke thënë se bashkëpunimin politik me të e ka pasur në shërbim të kombit.
“…Edhe në pjesën e bërjes së politikës, bashkëpunimin me Presidentin Rugova. Disa më thonë mos e përmend njëren, disa më thonë mos e përmend tjetrën, po të dyja i kam bërë me vetëdije në shërbim të kombit. Ju pres në 128 më 7 qershor”, ka deklaruar Haradinaj.



