Kusari apel mediave: Mos e identifikoni vajzën që u keqpërdor nga Kurti, në tubimin e VV-së
Juristja e medias, Flutura Kusari, u ka bërë thirrje mediave që të mos publikojnë fytyrën dhe identitetin e vajzës së përfshirë në tubimin e fundit të Lëvizjes Vetëvendosje në Vushtrri.
Sipas saj, ekspozimi publik i të miturës mund të ketë pasoja afatgjata, duke paralajmëruar se ajo mund të përballet me bullizim dhe stigmatizim në të ardhmen për paraqitjen e saj në skenë.
Kusari ka kërkuar nga mediat që të mos publikojnë fotografi, të mos identifikojnë prindërit e vajzës, të mos shpërndajnë postime të tyre në rrjetet sociale dhe të mos realizojnë intervista që mund të çojnë në identifikimin e saj.
Ajo ka theksuar se, pavarësisht debatit politik që ka shkaktuar ngjarja, mbrojtja e identitetit dhe interesit më të mirë të fëmijës duhet të mbetet prioritet.



