Gjiganti italian ia mësyn Alabas, kontaktet me menaxherin japin sinjale pozitive

02 qershor 2026 | 13:24

Juventusi po e shqyrton seriozisht mundësinë e transferimit të mbrojtësit austriak David Alaba, i cili do të largohet nga Real Madridi pas përfundimit të kontratës së tij këtë verë.

Bardhezinjtë i kanë intensifikuar kontaktet me përfaqësuesit e futbollistit dhe sinjalet e para nga bisedimet konsiderohen inkurajuese.

Sipas raportimeve nga Italia, drejtuesit e Juventusit kanë zhvilluar diskutime me menaxherin e lojtarit, Pini Zahavi, për t’i kuptuar kushtet e një transferimi të mundshëm të tij në Torino.

Alaba është një profil që vlerësohet shumë nga klubi italian për shkak të eksperiencës së tij ndërkombëtare, fleksibilitetit taktik dhe mentalitetit fitues.

Një element që po i jep besim Juventusit është qëndrimi i Real Madridit.

Klubi spanjoll ka vendosur ta mbyllë bashkëpunimin me mbrojtësin 33-vjeçar në fund të sezonit, duke ia hapur rrugën largimit të tij si lojtar i lirë.

Kjo e bën “operacionin” më të përballueshëm financiarisht, edhe pse paga e futbollistit mbetet një çështje që duhet zgjidhur gjatë negociatave.

Alaba e ka kaluar një periudhë të vështirë për shkak të lëndimeve dhe gjatë sezonit të fundit ka pasur aktivizime të kufizuara.

Megjithatë, Juventusi beson se përvoja e fituar te Bayern Munich dhe Real Madrid mund të jetë një vlerë e shtuar për skuadrën, sidomos në repartin defanziv.

Interesim për austriakun kanë shfaqur edhe klube të tjera nga Evropa, MLS dhe Arabia Saudite, por Juventusi dëshiron të lëvizë shpejt për t’i siguruar shërbimet e një futbollisti që ka fituar gjithçka në karrierën e tij, përfshirë Ligën e Kampionëve dhe kampionate kombëtare.

Ditët e ardhshme pritet të jenë vendimtare për ta kuptuar nëse bisedimet do të avancojnë drejt një marrëveshjeje konkrete apo nëse “Zonja e Vjetër” do të orientohet drejt objektivave të tjerë për repartin mbrojtës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, që përfaqëson mbi 700 gazetarë…